Një thirrje dëshpëruese për ndihmë dhe fjalët se nuk kishte më kohë për të shmangur përplasjen, ishin komunikimet e fundit nga kabina e pilotëve të aeroplanit privat që u rrëzua në Florida, duke shkaktuar vdekjen e nëntë personave.
Aeroplani i tipit “Learjet” u përplas të dielën në një zonë të banuar pranë Cresthaven, ku pas goditjes shpërtheu në flakë. Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet amerikane, pak çaste para aksidentit piloti kishte njoftuar kontrollin ajror se avioni po humbiste me shpejtësi lartësi dhe se situata ishte kritike. “Po zbresim me shpejtësi 3 mijë metra në minutë”, ishte alarmi i dhënë nga kabina, ndërsa rreth 35 sekonda më vonë u dëgjua fjalia e fundit: “Nuk na ka mbetur më kohë”.
Avioni ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Austin-Bergstrom në Teksas dhe kishte si destinacion aeroportin North Eleuthera në Bahamas. Gjatë fluturimit, në një lartësi prej rreth 10.600 metrash, pilotët kishin raportuar turbulenca dhe kishin kërkuar leje për t’u ngjitur më lart. Megjithatë, pak më vonë mjeti fluturues nisi një rënie të menjëhershme, duke humbur kontrollin dhe duke u drejtuar me shpejtësi drejt tokës.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, konfirmoi vdekjen e të nëntë personave që ndodheshin në bord, ndërsa e cilësoi aksidentin si një tragjedi të rëndë.
Përplasja shkaktoi një shpërthim të fuqishëm, ndërsa mbetjet e avionit u shpërndanë në një hapësirë të gjerë pranë rrugës kryesore. Pamjet nga vendngjarja treguan dëmtime në asfalt dhe flakë që përfshinë zonën, ndërsa avioni kaloi shumë pranë automjeteve që po lëviznin në rrugë dhe shmangu për pak banesat aty pranë.
Guvernatori i Floridës Ron DeSantis e përshkroi skenën si një përplasje katastrofike, duke thënë se pamja i ngjante një rakete që binte nga qielli dhe se në vendin e goditjes ishte krijuar një krater i madh. Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, ndërsa reshjet e dendura të shiut dhe kushtet atmosferike në zonë janë gjithashtu pjesë e rrethanave që po shqyrtohen.
