Sulmet ajrore nga Pakistani kanë vazhduar përgjatë kufirit perëndimor të Indisë dhe janë një kundërpërgjigje ndaj shënjestrimit të tre bazave ajrore brenda Pakistanit nga ushtria indiane.
Ushtria e Pakistanit tha se përdori raketa Fateh me rreze të mesme veprimi për të goditur më shumë se 25 objektiva ushtarake, duke përfshirë baza ajrore dhe depo armësh.
Disa shtëpi u dëmtuan nga bombardimet në disa pjesë të Kashmirit të administruar nga India. Të paktën 13 persona humbën jetën dhe 50 të tjerë u plagosën në këtë rajon si pasojë e sulmeve të ndërsjellta.
Hapësira ajrore e Pakistanit është mbyllur pasi ushtria e saj tha se India kishte nisur një seri sulmesh ndaj bazave ajrore. Të njëjtën gjë ka bërë edhe pala indiane pasi autoritet kanë mbyllur më shumë aeroporte përgjatë rajoneve të saj veriore dhe perëndimore. Teksa sulmet vijojnë ka edhe përpjekje diplomatike për të qetësuar palët.
Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite thotë se diplomati më i lartë, Princi Faisal bin Farhan Al Saud, ka folur në telefon me homologët e tij përkatës nga India dhe Pakistani.
Në një deklaratë të shkurtër, u tha se diskutimet u përqendruan në përpjekjet për të ulur tensionet dhe për të ndaluar konfrontimet ushtarake të vazhdueshme.
Edhe sekretari i shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, u bëri thirrje ministrave të Jashtëm të të dy vendeve të gjejnë mënyra për të ulur tensionet.
Të dyja vendet kanë armë bërthamore dhe ekziston rreziku që ato të përdoren, por deri më tani një skenar i tillë është përjashtuar nga Ministri i Mbrojtjes së Pakistanit.