Ka përfunduar operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e 35-vjeçarit të zhdukur në lumin Mat, pranë Urës së Vashës, në bashkinë Klos.
Operacioni u zhvillua nën drejtimin e prefektit të Qarkut Dibër dhe koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, me angazhimin e rreth 90 forcave dhe vullnetarëve nga strukturat e mbrojtjes civile në nivel qendror dhe vendor.
Në kërkime morën pjesë efektivë të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, RENEA-s, polumbarë, zjarrfikës, ekipe të kërkim-shpëtimit, si dhe vullnetarë.
Mbështetje në operacion dhanë edhe ekspertë dhe forca të kërkim-shpëtimit nga Kosova.
Pas kërkimeve intensive dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, trupi i 35-vjeçarit u gjet pranë Urës së Vashës.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës, kur i riu Erkin Lika ishte duke kryer ngjitje me litar dhe dyshohet se ka humbur ekuilibrin, duke rënë në ujërat e lumit. 35-vjeçari ishte pjesë e ekipeve të shpëtimit për alpinistët dhe eksploruesit e shpellave.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit, ndërsa falënderoi të gjitha strukturat, ekspertët dhe vullnetarët e angazhuar për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë operacionit.
