Tensione në protestën e sotme. Ndërsa kanë qenë duke vijuar marshimin, pati një situatë kaotike.
Policia u vendos kordon dhe ka hedhur edhe spraj e gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, ndërsa këta të fundit kanë hedhur vezë drejt efektivëve.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ditën e sotme ka marrë masa të shtuara sigurie. Perimetri i sigurisë është përforcuar me një gardh të gjerë policor, i përbërë nga dy rreshta të forcave “Shqiponja” dhe një rresht të efektivëve të Forcës Kombëtare të Sigurisë (FNSH), ndërsa zona përreth Kuvendit vijon të monitorohet nga një numër i madh forcash policore.
Qytetarët janë mbledhur këtë të hënë përpara Kuvendit të Shqipërisë në ditën e 58-të të protestës, duke vijuar kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë tubimit, vëmendje tërhoqi një pankartë me mbishkrimin “Pula në burg, është fabrikë e armëve”, një ironi që lidhet me ngjarjet e protestës së të enjtes, kur deputetët dhe ministrat u goditën me vezë gjatë hyrjes në Parlament.
Protestuesit kanë shoqëruar tubimin edhe me thirrje kundër klasës politike, duke brohoritur: “Rama në burg, Berisha në burg!”, “Parlament i krimit!” , “Parlament analfabet!”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!”
Ndërkohë, protesta po zhvillohet nën masa të forta sigurie, me prani të shtuar të forcave të policisë përreth godinës së Kuvendit, ku po mbahet seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar.
