Një 26-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Kavajë me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Ai akuzohet nga autoritetet italiane për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.
Në pranga ra shtetasi S. B., 26 vjeç, banues në Kavajë, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma.
Gjykata e Breshias i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, për të cilën Kodi Penal italian parashikon dënim deri në 24 vjet burg.
Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, 26-vjeçari ishte pjesë e një organizate kriminale të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, por edhe italianë, e cila trafikonte lëndë narkotike për t’i shpërndarë në disa zona të Italisë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e të arrestuarit drejt Italisë.
