Ka nisur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë, pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, e cila pranoi kërkesën për sigurimin e padisë lidhur me pezullimin e bojkotit të avokatëve në seancat gjyqësore në Gjykatën e Posaçme.
Hapja e mbledhjes do të jetë e hapur për mediat, ndërsa diskutimet do të zhvillohen me dyer të mbyllura. Në përfundim, Këshilli pritet të bëjë publik vendimin e tij për vijimin e bojkotit.
Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia, deklaroi se do t’i përmbahen vendimit të gjykatës dhe se kjo do të çojë në përfundimin e bojkotit.
“Jemi përpara një vendimi të marrë nga Apeli Administrativ që është pezulluar ecuria e bojkotit të marrë nga ky këshill. Ne i qëndrojmë këtij vendimi, nuk kemi marrë asnjë vendim të gabuar. Nisur nga ky vendim do deklarojmë përfundimin e bojkotit, pasi jemi përballë vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit”, u shpreh Haxhia.