Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi sot se planifikon të zhvillojë një tjetër takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në kuadër të samitit të vendeve të G7-tës, në Francë.
Trump nuk bëri të ditur nëse në takim do të marrin pjesë edhe liderë të tjerë.
Zelensky mori pjesë sot në mëngjes, në një takim të përbashkët të vendeve të G7-tës.
Me mbërritjen në samit, presidenti ukrainas shkroi në Telegram, se forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës, mbetet objektivi më i rëndësishëm i Kievit.
Ai theksoi gjithashtu, se nevojiten përpjekje diplomatike, për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia.
Nga ana e tij, Trump tha se kishte zhvilluar të dielën, një bisedë me presidentin rus, Vladimir Putin – duke shtuar: “Rusia duhet të arrijë një marrëveshje.”
Pas arritjes së marrëveshjes kornizë, për t’i dhënë fund luftës me Iranin, vendet e G7-tës synojnë t’i rikthejnë në rrugën e duhur, negociatat e ngecura për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat po ndërmjetësojnë mes Moskës dhe Kievit, kanë reduktuar kohët e fundit, angazhimin e tyre, në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, në Ukrainë, pasi vëmendja e administratës amerikane ishte përqendruar te lufta me Iranin.
