Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se marrëveshja e arritur me Iranin, për t’i dhënë fund konfliktit, nuk është ende përfundimtare, pavarësisht se nënshkrimi zyrtar i saj pritet të bëhet të premten në Zvicër, raportoi BBC.
Duke folur në ditën e fundit të samitit të G7 në Francë, Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të rifillojnë sulmet ushtarake, nëse nuk mbetet i kënaqur me marrëveshjen përfundimtare ose nëse, sipas tij, Irani “nuk sillet siç duhet”.
SHBA-ja dhe Irani pritet të takohen të premten në Zvicër për të nënshkruar dokumentin, detajet e të cilit nuk janë bërë ende publike.
Marrëveshja paraprake, e ndërmjetësuar nga Pakistani dhe e arritur të dielën, parashikon zgjatjen e armëpushimit edhe për 60 ditë, periudhë gjatë së cilës palët do të negociojnë një marrëveshje të plotë dhe afatgjatë.
Sipas deklaratave të mëparshme të Trump, marrëveshja përfshin gjithashtu rihapjen e Ngushticës së Hormuzit pa tarifa kalimi dhe heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.
Ndërkohë, vendet e G7-tës publikuan një deklaratë të përbashkët, ku mirëpritën përparimin diplomatik në Lindjen e Mesme dhe shprehën gatishmërinë, për të mbështetur zbatimin e marrëveshjes.
Liderët e grupit bënë thirrje për një marrëveshje pasuese “të fortë dhe gjithëpërfshirëse”, që sipas tyre mund të garantojë paqe dhe siguri afatgjatë në rajon.
Gjatë samitit, Trump përsëriti se marrëveshja nuk do t’i lejojë Iranit të zotërojë armë bërthamore dhe hodhi poshtë raportimet, se Uashingtoni po planifikon investime në ekonominë iraniane, si pjesë e negociatave.
Presidenti amerikan komentoi edhe zhvillimet në rajon, duke kritikuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për përshkallëzimin e tensioneve në Liban.
Ai tha se Izraeli duhet të tregojë më shumë përgjegjësi ndaj situatës, duke theksuar se konflikti me Hezbollahun, po zgjatet shumë dhe po shkakton humbje të mëdha njerëzore.
Përsa i përket luftës në Ukrainë, Trump tha se ka zhvilluar një takim shumë pozitiv me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe shtoi se Rusia duhet të arrijë një marrëveshje, duke paralajmëruar se sanksionet ndaj naftës ruse mund të rikthehen së shpejti.
