Kjo javë pritet të sjellë një tjetër valë emigrantësh nga Italia drejt Shqipërisë, në kuadër të transferimit të katërt të emigrantëve. Qeveria italiane, nën udhëheqjen e kryeministres Giorgia Meloni, është optimiste se nuk do të ketë pengesa juridike nga gjyqtarët në Romë që mund të ndalojnë projektin e ri. Sipas planit, emigrantët që do të dërgohen në Shqipëri nuk do të jenë më azilkërkues të kapur në det, por individë të parregullt, të cilët janë në pritje të procedurave të dëbimit.
Këta emigrantë do të transferohen në qendrën e paraburgimit të Gjadrit, e cila aktualisht ka rreth 40 vende, ndërsa po punohet për të rritur kapacitetin e saj në 144 vende. Udhëtimi i emigrantëve do të realizohet me anije nga Pulia në drejtim të Gjadrit, ku do të qëndrojnë për një periudhë maksimale deri në 18 muaj, në pritje të pranimit të tyre nga vendet e origjinës.
Ministri i Brendshëm Italian, Matteo Piantedosi, ka theksuar se politikat e reja të qeverisë italiane kanë ulur ndjeshëm fluksin e emigrantëve që mbërrijnë në Itali, dhe ka theksuar se qendrat në Shqipëri janë një model efektiv menaxhimi për këtë çështje. Sipas tij, qëndrimi i emigrantëve në Gjadër do të ofrojë një mundësi për të menaxhuar situatën, derisa të përfundojnë procedurat e riatdhesimit.
Ndërkohë, qeveria italiane po pret vendimin e Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian për dekretin që lidhet me njohjen e “Vendeve të Sigurta”, një çështje që mund të ketë ndikim në proceset e riatdhesimit dhe menaxhimit të emigracionit në të ardhmen.