📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

🌙 Dark
Contrast
🔄 Invert
Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
Capture

 Policisa e Elbasanit ka publikuar rezultatet e punës për periudhën maj–qershor 2026, ku janë referuar në Prokurori 428 raste të veprave penale, nga të cilat 427 janë zbuluar dhe dokumentuar.

Sipas drejtorit, Fatmir Hoxha, për këto raste janë proceduar penalisht 448 persona, prej të cilëve 63 janë arrestuar në flagrancë, 16 janë ndaluar, 4 janë shpallur në kërkim dhe 365 janë proceduar në gjendje të lirë.

Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar 14 operacione policore kundër narkotikëve, trafiqeve të paligjshme, vjedhjeve dhe kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat janë sekuestruar rreth 52 kilogramë lëndë narkotike kanabis , 1 kilogram heroinë, rreth 178 gramë kokainë, armë zjarri, automjete dhe shuma parash.

Policia tha Hoxha ka trajtuar gjithashtu 355 konflikte si dhe ka marrë masa për garantimin e sigurisë gjatë aktiviteteve publike dhe ka shtuar kontrollet në zonat turistike të qarkut.

Në fushën e sigurisë rrugore, janë evidentuar 121 shkelje të rregullave të qarkullimit, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë regjistruar edhe 3 aksidente me pasojë humbjen e jetës.

Drejtori i Policisë së Elbasanit u bëri apel qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të bashkëpunojnë me Policinë për denoncimin e çdo veprimtarie të paligjshme.

Fjala e plotë:

Ju falënderoj për praninë tuaj në këtë konferencë të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, e cila zhvillohet në kuadër të qasjes së re të Policisë së Shtetit për një komunikim më transparent, më të drejtpërdrejtë dhe më të shpeshtë me qytetarët dhe median.

Qëllimi ynë është të informojmë publikun mbi rezultatet e punës së strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, masat e ndërmarra për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe sfidat me të cilat përballemi në përmbushjen e misionit tonë, si siguria rrugore, lufta kundër narkotikëve dhe trafiqeve të paligjshme, armëmbajtja pa leje, kapja e personave në kërkim, evidentimi dhe goditja e krimeve mjedisore, ndjekja në kohë dhe në dinamikë e shqetësimeve të qytetarëve, parandalimi i dhunës në familje, garantimi i rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik, reagimi i shpejtë dhe profesional në rast ngjarjesh, si dhe ofrimi i një shërbimi dinjitoz dhe të paanshëm për qytetarët.

Në përfundim të raportimit, do të jemi të hapur për pyetjet dhe interesimin tuaj, në funksion të transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit publik.

Fillimisht, do të paraqes rezultatet e punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, gjatë periudhës maj–qershor 2026.

Gjatë kësaj periudhe janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, 428 raste të veprave penale, nga të cilat janë zbuluar dhe dokumentuar 427, ose 99.76% e tyre.

Për këto vepra penale janë proceduar penalisht 448 shtetas, nga të cilët 63 janë arrestuar në flagrancë, 16 janë ndaluar me urdhër të Prokurorisë, 4 janë shpallur në kërkim dhe 365 janë proceduar në gjendje të lirë.

Është zbuluar dhe dokumentuar plotësisht autorësia për 45 raste të veprave penale kundër personit dhe 47 raste të veprave penale kundër pasurisë.

Këto rezultate janë arrirë nëpërmjet punës parandaluese, hetimore dhe operacionale të strukturave të Policisë, si dhe falë bashkëpunimit me Prokurorinë, institucionet e tjera ligjzbatuese dhe qytetarët.

Gjatë periudhës maj–qershor janë zhvilluar 14 operacione policore, si rezultat i të cilëve janë arrestuar 16 shtetas, janë ndaluar 10 shtetas, janë shpallur në kërkim 10 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas:

Operacionet policore kanë konsistuar në:

-goditjen e veprimtarive kriminale të prodhimit, shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, veçanërisht në afërsi të institucioneve arsimore (5 operacione policore);

-goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e trafiqeve, konkretisht: dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit (2 operacione policore), trafikimit të mjeteve motorike (1 operacion policor) dhe trafikimit të lëndëve narkotike (1 operacion policor);

-goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike (1 operacion policor, nga Komisariati i Policisë Librazhd), gjatë të cilit u arrestua 1 shtetas dhe u asgjësuan 238 bimë narkotike;

-goditjen e rasteve në fushën e vjedhjes (4 operacione policore).

Gjatë kësaj periudhe, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

-1 kilogram lëndë e dyshuar narkotike Heroinë;

-50.4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa;

-177.7 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë;

-1 armë zjarri (automatik);

-2 armë zjarri (pistoleta);

-14 automjete të tipeve të ndryshme;

-1 motomjet;

-43 celulare;

-4 peshore elektronike;

-2740 euro;

-119 600 lekë;

-15 paunde;

-20 franga zvicerane;

-290 dinarë;

-249 steka me cigare;

-1 armë e ftohtë (thikë).

Gjithashtu, është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për vendosjen e sekuestrove preventive mbi disa pasuri me vlerë 225 000 euro, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale.

Gjatë periudhës për të cilën po raportojmë, është punuar me seriozitet edhe në drejtim të parandalimit të ngjarjeve kriminale dhe trajtimit në kohë të problematikave të ndryshme të evidentuara në territor.

Në këtë kuadër, janë trajtuar dhe adresuar për zgjidhje 355 konflikte, kryesisht për motive pronësie dhe motive të dobëta, për të cilat janë kryer veprimet procedurale përkatëse.

Ka vijuar kontrolli periodik në zonat me risk për kultivimin e bimëve narkotike, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera përgjegjëse.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë publike janë marrë masa të plota në 9 aktivitete të ndryshme, nga të cilat 5 sportive dhe 4 kulturore dhe fetare. Shërbimet e Policisë kanë hartuar dhe zbatuar planet e posaçme të masave, duke garantuar zhvillimin normal të këtyre aktiviteteve, pa problematika.

Një vëmendje e veçantë iu është kushtuar pikave dhe zonave më të frekuentuara turistike të qarkut, ku gjatë muajve maj dhe qershor është evidentuar rritje e fluksit të turistëve.

Shërbimet e Policisë kanë monitoruar këto zona dhe kanë reaguar ndaj çdo kërkese për ndihmë.

Konkretisht, Komisariati i Policisë Librazhd iu ka dhënë ndihmën e nevojshme dy turistëve, ndërsa Komisariati i Policisë Gramsh i ka shkuar në ndihmë një turisti, për problematika të hasura gjatë lëvizjes në zona malore.

Duke pasur parasysh rritjen e ndjeshme të fluksit të automjeteve në qarkun Elbasan, gjatë sezonit veror, shërbimet e Policisë Rrugore kanë intensifikuar monitorimin dhe kontrollet në akset rrugore të qarkut, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore e DVP Elbasan ka evidentuar 121 raste të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjatë kësaj periudhe, fatkeqësisht kanë ndodhur 3 aksidente rrugore me pasojë humbjen e jetës.

Pavarësisht rezultateve të arritura, mbeten ende problematika që kërkojnë vëmendje dhe angazhim të mëtejshëm:

-shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, sidomos përdorimi i pijeve alkoolike gjatë drejtimit të automjetit, tejkalimi i shpejtësisë , manovra të rrezikshme në rrugë, mosrespektimi i sinjalistikës rrugore etj;

-rastet e dhunës në familje, si dhe

-prodhimi dhe shpërndarja e lëndëve narkotike.

Shërbimet e Policisë kanë shtuar monitorimin, kontrollet dhe praninë në terren, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje dhe paligjshmërie, si edhe kanë rritur kontaktet me qytetarët, për të siguruar informacion me qëllim parandalimin dhe ndëshkimin e shkeljeve që shfaqen në territor.

-Apeli i Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, për qytetarët dhe komunitetin në tërësi.

Në përfundim, në emër të të gjitha strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, dua të siguroj qytetarët se mbetemi maksimalisht të angazhuar për parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, si dhe për garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike.

Puna do të vijojë me intensitet të shtuar, në mënyrë të pandërprerë dhe në të gjithë territorin e qarkut.

Një apel të veçantë dua t’iu drejtoj qytetarëve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, për të parandaluar aksidentet, por dhe për të kontribuar pozitivisht në menaxhimin e trafikut.

Çdo shkelje që cenon jetën, shëndetin apo sigurinë e qytetarëve do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe në përputhje me ligjin.

Gjithashtu, ftoj qytetarët dhe median të vijojnë bashkëpunimin me Policinë, duke denoncuar çdo rast paligjshmërie, veprimtari kriminale apo situatë që cenon rendin dhe sigurinë publike.

Me të njëjtat përgjegjshmëri dhe paanshmëri do të trajtojmë çdo denoncim të qytetarëve për punonjës policie, veprimet ose sjellja e të cilëve bien ndesh me përmbushjen e detyrës, etikën profesionale dhe pritshmëritë e qytetarëve.

Ju garantoj se çdo informacion, denoncim apo telefonatë do të trajtohet në kohë, me profesionalizëm, përgjegjshmëri dhe seriozitet.

Ju falënderoj për vëmendjen dhe jam i gatshëm t’u përgjigjem pyetjeve dhe interesimit tuaj.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights