Trajneri i Anglisë, gjermani Thomas Tuchel, ka kritikuar pushimet e detyrueshme për hidratim të lojëtarëve në Kupën e Botës, duke thënë se ato po ndryshojnë natyrën dhe ritmin tradicional të ndeshjeve.
FIFA i ka vendosur këto ndërprerje triminutëshe në mesin e secilës pjesë për të mbrojtur lojtarët nga temperaturat e larta, por masa është kritikuar nga tifozë dhe futbollistë gjatë ditëve të para të turneut.
Sipas Tuchel, ndërprerjet e shpeshta e ndajnë ndeshjen pothuajse në katër periudha dhe e bëjnë më të vështirë krijimin dhe ruajtjen e ritmit të lojës.
“Mendoj se e ndërpresin dhe e ndryshojnë identitetin e një ndeshjeje futbolli më shumë sesa e kisha menduar,” tha ai.
Tekniku gjerman pranoi se pushimet janë të dobishme kur moti është ekstremisht i nxehtë, por theksoi se futbolli fiton nga vazhdimësia e lojës.
“Më pëlqen futbolli kur luhet pa ndërprerje. Ritmi ndërtohet me kalimin e kohës dhe kjo është pjesë e bukurisë së lojës. Këto pushime i heqin diçka nga karakteri i saj.”
Megjithatë, Tuchel pranoi se, për hir të barazisë mes skuadrave, masa ka logjikën e saj.
Pavarësisht rezervave të tij, Tuchel tha se do t’i shfrytëzojë këto ndërprerje për të komunikuar me lojtarët dhe për të bërë rregullime taktike sipas zhvillimit të ndeshjes.
