Në një konferencë për shtyp, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama se ka shpërndarë para për blerjen e votës.
Berisha ka denoncuar publikisht përmes një videoje të re një rast të blerjes së votës në zonën e Babrrusë, në Tiranë.
“Narkoqeveria e kreut të organizatës kriminale, Edi Ramës, nuk u mjaftua me shpërndarjen e 76 milionë eurove, 100 euro për pensionist, në total 48 përqind të votuesve për blerjen e votës. Me dhurimin e 200 milionë eurove gjoba dhe kamata 2 ditë para zgjedhjeve. Nuk u mjaftua me firmosjen e dhjetëra mijëra lejeve të legalizimit, certifikatave të pronësisë. Me përdorimin e dhjetëra mijëra automjeteve, të gjitha të shtetit dhe pa asnjë lidhje me fushatat elektorale.
Nuk u mjaftua me punësimin e mbi 10 mijë punonjësve për votë në qeverisjen lokale dhe qendrore, por ajo kaloi direkt dhe në blerje vote duke shpërndarë fshehtas para për zgjedhësit shqiptarë. Natyrisht shpërndarja e fshehtë e parave është vështirë të kapet sepse ata që kryejnë këtë krim elektoral, bëjnë çdo gjë që të fshihen gjurmët e tij dhe të mos dalë. Megjithatë kamerat e qytetarëve syçelët kanë filmuar momentin kriminal të ndarjes së parave për vota. Dhe kjo jo të themi pas Dajtit apo në Mokër apo në Tropojë apo në zonat më të largëta. Jo, kjo në Tiranë, në Babrru dhe urdhëroni videon që do u paraqes sot para jush”, tha Berisha.
“Pra, siç e shihni, nuk mjaftuan 76 milionë euro të shpërndara publikisht. Nuk mjaftuan 200 milionë euro gjoba dhe kamata të falura. 500 milionë euro prokurime dhe koncesione. Por kalojnë duke shpërndarë para nëpër qoshe për të blerë vota. Këto zgjedhje nuk njihen kurrë. Këto zgjedhje janë farsë dhe nuk janë zgjedhje. Pra kjo farsë nuk njihet kurrë. Ndaj dhe ne paraqesim para medieve, para shqiptarëve dhe para komunitetit ndërkombëtar, fakte të pakundërshtueshme të farsës që delegjitimojnë plotësisht qeverinë e dalë nga zgjedhjet. Ishte shumë demonstrues ky rast sepse është shumë e rrallë të kapësh ndarjen e parave. Po ja që është evident. Këta janë të njohur si persona. Gjithçka është e identifikuar”, tha Berisha.