Ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, është paraqitur ditën e sotme në ambientet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kjo nuk është hera e parë që Roshi paraqitet në SPAK. Hera e fundit e tij ka qenë në shkurt, kur ai qëndroi vetëm për 15 minuta në zyrat e Prokurorisë së Posaçme. Për gazetarët, pasi doli nga SPAK-u, u shpreh “Veprime të zakonshme, absolutisht asnjë akuzë”.
Vitin që lamë pas, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, urdhëroi SPAK-un të nisë hetime ndaj tij, si i dyshuar për dhënien e disa tenderave në kohën kur ishte kryebashkiak. Ai dyshohet të ketë konsumuar veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “shkelja e barazisë në tendera”.
Hetimet janë nisur me bazë kallëzimin e bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) pas një auditi në Bashki në vitet 2013-2014.
Elvis Roshi, mori drejtimin e Bashkisë së Kavajës në zgjedhjet lokale të vitit 2011 dhe qëndroi në krye të kësaj bashkie deri në vitin 2016, ku dha dorëheqjen për shkak të akuzave se kishte falsifikuar formularin e vetëdeklarimit.