Është arrestuar ish efektivi i policisë Altin Morina, i shpallur në kërkim që prej vitit 2024.
Raportohet se ai është pjesë e dosjes Revanshi, dhe sipas SPAK, ai akuzohet se ka bashkëpunuar me Durim Bamin për të organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës në vitet 2019-2020.
Policia bën me dije se në pranga ka rënë edhe 25-vjeçari E.H., drejtuesi i automjetit që shoqëronte Altin Morinën.
Ish efekti i policisë ka qenë arrestuar edhe më herët, në mars të vitit 2023, pasi në makinën me të cilën po lëvizte iu gjetën 113 mijë euro.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, ndaluan shtetasin A. M., 45 vjeç, i shpallur në kërkim nga SPAK, për veprën penale “Kultivimi i bimeve narkotike”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Gjatë kontrollit fizik, 45-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë. Në vijim të veprimeve policore për këtë rast, u arrestua dhe drejtuesi i automjetit me të cilin lëvizte 45-vjeçari, shtetasi E. H., 25 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, njofton Policia.