Prokurorja e
Xhorxhias, Fani Willis, bëri thirrje që procesi gjyqësor kundër ish-presidentit
amerikan Donald Trump dhe 18 të akuzuarve të tjerë për ndërhyrje në zgjedhjet
presidenciale të vitit 2020 të nisë më 4 mars, gjë që do të ngarkonte më tej
kalendarin e zotit Trumpi për vitin 2024, ndërsa ai kërkon emërimin e
republikanëve për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.
Data e
gjykimit kundër zotit Trump do të caktohet nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë të
Qarkut Fulton, Scott McAfee, i cili do të dëgjojë çështjen në Atlanta,
kryeqytetin e shtetit jugor të Xhorxhias. Avokatët e zotit Trump me siguri do
të kërkojnë një datë shumë më të vonë, ndoshta pas zgjedhjeve presidenciale të
muajit nëntor.
Por nëse
zoti McAfee pranon kërkesën e prokurores, gjyqi do të fillojë një ditë përpara
asaj që në botën politike të Shteteve të Bashkuara njihet si “super e marta”,
kur 14 shtete mbajnë zgjedhjet për emërimin e kandidatëve presidencial. Zoti
Trump do të jetë në fletëvotimin e republikanëve kundër një vargu
kundërshtarësh.
Aktakuza e
së hënës në Xhorxhia është e katërta në rreth katër muaj kundër ish presidentit
amerikan. Me sfidat ligjore në rritje, në gjysmën e parë të viti 2024 ai mund
të kalojë më shumë ditë në sallat e gjyqit sesa të bëjë fushatë për postin e
presidentit.
Të gjitha
gjyqet me të cilat përballet zoti Trump, 77 vjeç, pritet të zgjasin me javë. Ai
ka thënë se me katër aktakuza është siguruar se do të rimarrë Shtëpinë e
Bardhë. Mbështetja politike republikane për zotin Trump, sipas anketave
kombëtare, ka mbetur e qëndrueshme. Por ai është ankuar me zemërim se akuzat
janë krijuar për të dëmtuar fushatën e tij.
Janë
gjithsej 91 akuza për vepra penale në të katër rastet kundër tij dhe nëse
shpallet fajtor, ai mund të përballet me vite të tëra heqje lirie. Por zoti
Trump i ka mohuar të gjitha akuzat.
Data e
propozuar nga prokurorja Willis do të binte ndesh me një çështje tjetër në Nju
Jork ku procesi gjyqësor është caktuar për në fund të muajit mars, ndonëse
prokurori atje ka lënë të kuptohet se do të ishte i gatshëm ta zhvendoste
çështjen e tij në një datë tjetër.
Në çështjen
e Nju Jorkut, zoti Trump akuzohet për falsifikimin e të dhënave të biznesit në
konglomeratin e tij të pasurive të patundshme për të fshehur një pagesë prej
130 mijë dollarësh për një aktore të filmave për të rritur, para fushatës së
tij të suksesshme presidenciale të vitit 2016. Zoti Trump i ka mohuar
pretendimet për atë aferë.
Në fund të
muajit maj, zoti Trump është planifikuar të dalë para gjyqit në Florida për një
aktakuzë prej 40 pikash të ngritur nga prokurori i posaçëm i Departamentit të
Drejtësisë, Jack Smith, i cili e akuzon ish presidentin se mbante në mënyrë të
paligjshme dokumente shumë të ndjeshme të sigurisë kombëtare në pronën e tij në
Mar-a-Lago në breg të oqeanit, pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë në janar të
vitit 2021.
Zoti Smith
gjithashtu akuzoi zotin Trump në Uashington për përpjekje të paligjshme për të
përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Ai ka kërkuar që
procesi gjyqësor të fillojë më 2 janar të vitit 2024. Prokurorët thonë se mund
të duhen katër deri në gjashtë javë për të paraqitur rastin e tyre kundër
ish-presidentit.
Avokatët e
zotit Trump pritet të propozojnë datën e dëshiruar të gjykimit për çështjen e
Uashingtonit të enjten. Gjykatësja e rastit Tanya Chutkan thotë se do të caktojë
datën e gjykimit më 28 gusht