Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se PD është e gatshme të mbështesë listat plotësisht të hapura në nivel kombëtar, në kuadër të diskutimeve për reformën zgjedhore.
Në një video të shpërndarë në llogarinë e tij në Instagram, Berisha u shpreh se modeli i Kosovës është më i përshtatshmi, pasi u jep qytetarëve mundësinë të shprehin preferencat e tyre për kandidatët, ndërsa theksoi se listat duhet të shoqërohen me një prag të arsyeshëm, 2% ose 3%.
“Me këtë rast siguroj çdo zgjedhës të këtij vendi, por edhe drejtues dhe anëtarë të forcave politike, se PD-ja është totalisht për lista plotësisht të hapura në nivel kombëtar. Personalisht preferoj listat e hapura të Kosovës, të cilat u japin qytetarëve mundësinë e preferencave.
Prandaj këtu qëndrimi ynë në këtë çështje është i palëkundur: lista kombëtare plotësisht të hapura, me një prag të arsyeshëm 2%, 3%, sipas ujdisë që do të arrijmë”, tha Berisha.
