Avokati i Popullit, Endri Shabani po zhvillon sot dhe nesër një inspektim të paparalajmëruar në burgun e Shënkollit, në kuadër të mandatit si Mekanizëm Kombëtar për Parandalimin e Torturës.
Sipas njoftimit për shtyp të Avokatit të Popullit, gjetjet paraprake janë shqetësuese, pasi grupi i inspektimit konstatoi mbipopullim të rëndë të ambienteve të akomodimit dhe mungesë të theksuar të personelit mjekësor, në raport me nevojat shëndetësore të të burgosurve.
Sipas Avokatit të Popullit, kushte të tilla cenojnë dinjitetin njerëzor dhe standardet minimale të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT).
Pas inspektimit Shabani tha në një prononcim për mediet se “problemi kryesor është se duhet të ishte një spital me siguri të lartë, jo një burg me dy psikiatër”.
Gjatë inspektimit po verifikohen kushtet e akomodimit, kujdesi shëndetësor, regjistrat e ankesave dhe po zhvillohen biseda private me të burgosur, pa praninë e stafit të institucionit.
Pas përfundimit të inspektimit, Avokati i Popullit do t’i përcjellë Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve raportin e plotë me gjetjet dhe rekomandimet konkrete. Institucioni do të krahasojë gjetjet me inspektimin e vitit të kaluar në burgun e Shënkollit për të verifikuar zbatimin e tyre.
Kushtet në burgje nuk janë çështje mëshire apo favor, por një detyrim kushtetues i shtetit ndaj çdo personi që ndodhet nën kujdesin e tij.
