📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

🌙 Dark
Contrast
🔄 Invert
Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
Shqiperi be 2 696x463

Mbahet sot në Bruksel Konferenca IX Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, ku Shqipëria pritet të mbyllë tre kapitujt e parë të negociatave.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se Shqipëria përgatitet për këtë etapë të rëndësishme të procesit të integrimit evropian, ndërsa theksoi se rruga drejt BE-së vijon përpara.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian (COREPER) miratoi më 10 korrik Pozicionin e Përbashkët të Bashkimit Europian për mbylljen provizore të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë për Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”.

Ky vendim përfaqëson një vlerësim të qartë politik nga Shtetet Anëtare të Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian për progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në reformat dhe transformimin europian dhe në procesin e negociatave të anëtarësimit, si dhe konfirmon besimin në kapacitetin e vendit për të përmbushur me sukses kriteret për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe zhvillimin e aftësisë për të qënë anëtar i familjes europiane.

Miratimi nga COREPER afirmon rezultatet konkrete të reformave të ndërmarra në vite, nivelin e avancuar të përafrimit me Acquis-in e Bashkimit Europian dhe angazhimin e palëkundur të institucioneve shqiptare dhe të gjithë aktorëve për avancimin e Agjendës Europiane Shqipëria 2030.

Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 19 korrik 2022 u mbajt Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, që shënoi zyrtarisht hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Kjo Konferencë vjen pas një vendimi të Këshillit të ministrave të çështjeve Evropiane më 25 mars 2020 për të hapur negociatat e pranimit, i cili u miratua nga anëtarët e Këshillit Evropian më 26 mars 2020, si dhe miratimit nga Këshilli më 18 korrik 2022 të Kornizës Negociuese për negociatat me Shqipërinë, në përputhje me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit.

Konferenca e dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 15 tetor 2024 u mbajt Konferenca e dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Takimi shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grup-kapitullin 1: Themeloret, duke përfshirë fushat dhe kapitujt negociues: Funksionimi i institucioneve demokratike; Reforma e administratës publike; Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore; Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria.

Kriteret ekonomike: Kapitulli 5 – Prokurimi publik; Kapitulli 18 – Statistikat; Kapitulli 32 – Kontrolli financiar.

Konferenca e tretë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 17 dhjetor 2024 u mbajt Konferenca e tretë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Takimi shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grup-kapitullin VI: Marrëdhëniet e Jashtme, duke përfshirë kapitujt negociues: Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e Jashtme; Kapitulli 31 – Politika e Jashtme, e Sigurisë dhe e Mbrojtjes.

Konferenca e katërt Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 14 prill 2025 u mbajt Konferenca e katërt Ndërqeveritare. Takimi shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grup-kapitullin II: Tregu i brendshëm, duke përfshirë kapitujt negociues: Kapitulli 1 – Lëvizja e lirë e mallrave, Kapitulli 2 – Liria e lëvizjes së punëtorëve, Kapitulli 3 – E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime, Kapitulli 4 – Lëvizja e lirë e kapitalit, Kapitulli 6 – E drejta e shoqërive tregtare, Kapitulli 7 – E drejta e pronësisë intelektuale, Kapitulli 8 – Politika e konkurrencës, Kapitulli 9 – Shërbimet financiare, Kapitulli 28 – Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit.

Konferenca e pestë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 22 maj 2025 u mbajt në Bruksel Konferenca e pestë Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kjo konferencë shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi grup-kapitullin III: Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse. Në këtë grup-kapitull përfshihen: Kapitulli 10 – Transformimi digjital dhe media; Kapitulli 16 – Taksat; Kapitulli 17 – Politika ekonomike dhe monetare; Kapitulli 19 – Politika sociale dhe punësimi; Kapitulli 20 – Politika për ndërmarrjet dhe industrinë; Kapitulli 25 – Shkenca dhe kërkimi; Kapitulli 26 – Arsimi dhe kultura; Kapitulli 29 – Bashkimi doganor.

Konferenca e gjashtë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 16 shtator 2025 u mbajt Konferenca e gjashtë Ndërqeveritare Shqipëri-BE që iu kushtua grup-kapitullit IV: Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme, i cili përmban fusha me rëndësi të posaçme për ekonominë dhe biznesin.

Kapitujt përfshinin: politikat e transportit (Kapitulli 14), energjia (Kapitulli 15), rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), mjedisi dhe klima (Kapitulli 27), të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Në Konferencën e shtatë Ndërqeveritare me BE-në (17 nëntor 2025) u hapën negociatat mbi grup-kapitullin 5 “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”, duke përfshirë kapitujt 11 (bujqësia dhe zhvillimi rural), 12 (siguria ushqimore, veterinaria dhe fitosanitaria), 13 (peshkimi dhe akuakultura), 22 (politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore) dhe 33 (dispozitat financiare dhe buxhetore).

Ky ishte grup-kapitulli i fundit i negociatave që vendi ynë hapi me bashkimin Evropian në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.

Konferenca e tetë Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian, u mbajt më 26 maj 2026. Ajo hapi zyrtarisht rrugën për futjen e Shqipërisë në fazën e mbylljes së negociatave për anëtarësim.

Kjo konferencë ndërqeveritare erdhi pas vendimit të miratuar nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER), i cili konfirmon plotësimin e Kushteve të Ndërmjetme në Grupkapitullin “Themelorët”, si dhe përcakton Kushtet për Mbylljen e negociatave për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.

Konferenca e nëntë Ndërqeveritare (14 korrik 2026) pritet të shënojë hapin e radhës në procesin e negociatave Shqipëri–BE, mbylljen provizore të 3 kapitujve të parë të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights