Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi sot me tetë vite burg shtetasin Luc Melaj, pasi u shpall fajtor për trafikimin e emigrantëve drejt SHBA-së dhe Kanadasë, kundrejt parave.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Besmir Stroka, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri, ndërsa procesi i gjykimit u bë me procedurë të shkurtuar.
Konkretisht GJKKO shpalli fajtor Luc Melajn për veprat penale: “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal; “Falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”; “Grup i strukturuar kriminal” në formën e drejtimit; “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”.
Në bashkim të dënimeve, Gjykata caktoi 12 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 8 vite burgim. Vuajtja e dënimit nis nga data 22 korrik 2024 dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Ndërkohë, për dy episode të akuzës për “ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, GJKKO vendosi pushimin e çështjes për shkak të aplikimit të ligjit për amnistinë.
Po ashtu, Gjykata shpalli fajtor edhe Emanuel Melaj dhe Gëzim Camaj për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Të dy u dënuan fillimisht me nga 6 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu reduktua në 4 vite. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vendosjen e tyre në shërbim provë për një periudhë 3-vjeçare, me detyrimin për të mos kryer vepra të tjera penale dhe për të mbajtur kontakte me shërbimin e provës.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
