Një hetim i CNN ka zbuluar se anija ruse e mallrave “Ursa Major” (Arusha e Madhe), e cila dyshohet se transportonte pjesë të reaktorëve bërthamorë për nëndetëse drejt Koresë së Veriut, u fundos në rrethana misterioze pranë brigjeve të Spanjës në dhjetor të vitit 2024.
Qeveria spanjolle konfirmoi se kapiteni rus u kishte thënë hetuesve se anija transportonte komponentë për dy reaktorë bërthamorë të ngjashëm me ata të nëndetëseve, megjithëse nuk dihej nëse përmbanin material radioaktiv.
Hetimi sugjeron se destinacioni i mundshëm i ngarkesës ishte Koreja e Veriut, aleate e Rusisë. Dyshohet se reaktorët do të përdoreshin për programin bërthamor dhe ndërtimin e nëndetëseve bërthamore të Phenianit.

Ngjarja është bërë edhe më misterioze pasi, sipas burimeve të hetimit, pas shpërthimeve fillestare pati edhe katër shpërthime të tjera pranë rrënojave të anijes. Në zonë u panë anije ushtarake ruse dhe më vonë edhe avionë amerikanë të specializuar për zbulimin e gjurmëve bërthamore.
Pronari i anijes, kompania shtetërore ruse Oboronlogistics, e quajti incidentin “sulm terrorist”, duke pretenduar se në trupin e anijes ishte hapur një vrimë nga shpërthimi.
Ekspertët ndërkombëtarë paralajmërojnë se nëse Rusia po transferon teknologji bërthamore te Koreja e Veriut, kjo do të përbënte një zhvillim shumë shqetësues për sigurinë globale dhe rajonin e Azisë Lindore.
