Partia Demokratike reagoi sot ndaj deklaratave të Asosacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dhe organizatës Safe Journalists lidhur me atë që është cilësuar si “sulm publik ndaj News24” nga kryetari i saj, Sali Berisha.
Përmes një reagimi zyrtar, PD thekson se deklaratat e Berishës nuk kanë qenë të drejtuara ndaj gazetarëve individualë, por ndaj pronarit të televizionit News24.
PD nënvizon se Berisha ka shprehur vazhdimisht respekt për gazetarët dhe punën e tyre, duke i falënderuar ata për kontributin në denoncimin e korrupsionit. Në këtë kuadër, reagimi i AGSH dhe Safe Journalists konsiderohet nga PD si i pabazuar dhe jashtë misionit të tyre.
“Në deklaratën e tij, Berisha nuk ka atakuar personalisht asnjë gazetar. Ai ka kritikuar me të drejtë vetëm pronarin e News24 për angazhimin e tij personal në lajme të rreme, trillime dhe manipulimet e diktuara direkt nga zyra e Kryeministrit Edi Rama kundër Partisë Demokratike. Kështu, në mediat e tij, ai me gjithë sqarimet e dhëna direkt atij, ai ka paraqitur si zyrtar të lartë të forumeve të PD persona të larguar prej kohësh në parti të tjera.
“Berisha në asnjë rast nuk ka sulmuar asnjë gazetar të këtij televizioni, përkundrazi, në çdo deklaratë ka shprehur publikisht respekt dhe vlerësim për punën e tyre. Sikundër ai ka falenderuar në mënyre të përsëritur të gjithë ata gazetarë që, me guxim kontribuojnë çdo ditë në hetimin dhe denoncimin e korrupsionit dhe lidhjeve të pushtetit me krimin. Në këtë kontekst mendojmë se është tejet e dyshimtë dhe jashtë misionit të këtyre organizatave të bëjnë “avokatin” e pronarit të medias, duke anashkaluar faktet”, thekson PD.
PD nënvizon më tej se një pjesë e madhe e mediave janë nën ndikimin e qeverisë. Sipas PD-së, ky ndikim shihet përmes censurës ndaj opozitës dhe vetëcensurës së gazetarëve.
“Raporte serioze ndërkombëtare konfirmojnë se mbi 90% e mediave në Shqipëri janë nën kontrollin e qeverisë, qoftë në linjën editoriale, qoftë në përmbajtjen e lajmeve. Ky kontroll, i ushtruar përmes interesave të pronarëve, arrin deri në censurë ndaj opozitës dhe vetëcensurë të gazetarëve.
“Në këmbim, këta pronarë urdhërojnë censurimin e opozitës, shpifjet e trillimet ndaj saj dhe përsërisin si papagaj në seri lajmet e ERTV të Kryeministrit apo podkastit të tij, madje pranojnë lista nga zyrat e këtij të fundit, se cilët kundërshtarë politikë nuk duhen ftuar në studio, ose kush duhet denigruar publikisht”, thekson PD.
Sipas PD-së, pronarë mediash përfitojnë nga qeveria në formën e tenderave dhe favoreve të tjera, teksa shton se këto marrëdhënie ndikojnë në linjën editoriale dhe trajtimin e opozitës në media.
Lidhur me termin “mafia e fjalës së lirë”, Partia Demokratike thekson se ai i referohet, sipas saj, individëve dhe analistëve që, në mënyrë të qëllimshme, deformojnë informacionin dhe sulmojnë opozitën. PD nënvizon se kritika politike nuk duhet barazuar me presionin apo dhunën ndaj medias.
“Të thuash se kritika politike është e njëjtë me bastisjet, kërcënimet dhe shpërthimet me eksploziv të kryera nga qeveria, përbën amnisti për veprimet kriminale të pushtetit. Së fundmi, siç është bërë tashmë traditë, Sali Berisha organizon thuajse çdo ditë takime të hapura me median. Në asnjë prej këtyre takimeve asnjë reporter nuk është fyer apo sulmuar; përkundrazi, janë falënderuar për punën dhe investigimet e tyre”, thekson PD.
Sipas PD-së, detyra e opozitës nuk është “gjuha politikisht korrekte”, por identifikimi i saktë i problemeve.
“Opozita ka si instrument parësor fjalën, dhe nuk ka gjuhë tjetër për të përshkruar kapjen e medias përveç të vërtetës, sado e ashpër që ajo të tingëllojë. Partia Demokratike mbetet e palëkundur në besimin se media e lirë është aleate e pazëvendësueshme në dokumentimin e vjedhjeve qeveritare dhe në vënien e pushtetit para përgjegjësisë, sipas parimit: “Problemi është qeveria”, thekson PD.
