Gjykata Speciale në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka shtyrë datën për shpalljen e vendimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas vendimit të publikuar të mërkurën, vendimi përfundimtar për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, i parashikuar të jepej brenda datës 19 maj, është shtyrë për në datën 20 korrik.
Lajmi është konfirmuar për Radiotelevizionin e Kosovës nga avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiç, i cili tha se ndryshimi i datës është zyrtar.
“Mund ta konfirmoj se kjo është e saktë”, ka deklaruar Mishetiç.
Rregullorja e Gjykatës Speciale parashikon se trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për shpalljen e verdiktit pas përfundimit të procesit gjyqësor, por parashikon gjithashtu edhe një shtyrje prej 60 ditësh për dhënien e këtij vendimi, nëse gjyqtarët paraqesin një kërkesë të tillë.
Prokuroria Speciale ka kërkuar 45 vjet burgim për ish-presidentin Hashim Thaçi, si dhe për ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.
Ish-krerët e UÇK-së kanë deklaruar pafajësinë e tyre, duke theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe me karakter çlirimtar.
Pas përfundimit të paraqitjes së mbrojtjes, ekipet ligjore kanë argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur akuzat, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur pretendimet e saj përfundimtare lidhur me çështjen.
