Ndanin vendndodhjen, foto të bisedave personale, futja në shtëpinë e Ilarias dhe një thikë, e njëjta që vrau studenten shqiptare. Këto janë disa nga detajet që Mark Antony Samson, 23-vjeçari me origjinë filipinase ka rrëfyer pas vrasjes së Ilaria Sulës.
Pasi vrau të renë, sipas mediave italiane, Samson shkoi të hante piadina me një shoqen e viktimës, duke iu hapur asaj për problemet me ish të dashurën dhe një takim në të ardhmen me një vajzë tjetër.
Pas rrëfimit të nënës, tashmë e arrestuar për bashkëpunim në fshehjen e trupit, nën vëzhgimin e hetuesve kanë kaluar edhe dy shokë të 23-vjeçarit. Celularët e të dyve lidhen me të njëjtat qeliza telefonike të Ilarias, celulari i së cilës nuk është gjetur ende. Sot në shtëpinë e autorit do të bëhet një tjetër inspektim.
Sipas dëshmisë së shoqes së dhomës së Ilarias, pasditen e 25 Marsit, Samson ka hyrë në shtëpinë e ish të dashurës shqiptare dhe ka përdorur kompjuterin e saj duke bërë foto të bisedave personale të 22-vjeçares me një djalë tjetër. Madje ka tentuar që ta marrë me vete kompjuterin, por pa sukses.
Një detaj tjetër që është zbuluar është se dyshja ndanin vendndodhjen e tyre nëpërmjet një aplikacioni në celularët e tyre. Në orën 22:00 të 25 Marsit, Ilaria thuhet se ka shkuar në apartamentin e tij duke i çuar një çantë me rroba dhe gjëra të tij personale. Më pas ajo ka ndenjur për të fjetur atje.
Është e paqartë nëse studentja shqiptare ishte e vetëdijshme që ish i dashuri i kishte hyrë në apartamentin e saj në Romë të njëjtën pasdite. Në mëngjesin e datës 26 Mars, Samson i kishte përgatitur një mëngjes në dhomën e gjumit. Mbi një tabaka ishin “kafe, dy sanduiçë dhe një thikë kuzhine”. Në atë moment, Ilaria ishte duke shkruar me dikë. Mesazhet më pas ia tregoi ish të dashurit “vullnetarisht”.
Pasi lexoi ato, ndodhën edhe goditjet me thikë në fyt ndaj Ilarias. Më pas e futi në një valixhe dhe pastroi dhomën për dy orë. Tapeti dhe thika u hodhën në një kazan plehrash në Bufalotta. Po ashtu në kamera janë kapur momentet kur ai ka hedhur trupin e pajetë. Pas këtij momenti, siç shkruajnë mediat italiane, ai ka ngrënë piadina me shoqen e Ilarias, ka organizuar një udhëtim dhe i është hapur asaj për problemet që kishte pasur me ish të dashurën. Shoqja pretendon se Samson i ka thënë për një takim që kishte ditën tjetër me një vajzë.
Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, Samson ka treguar se ka përdorur celularin e Ilarias ditët në vijim, ndërsa miqtë dhe të afërmit besonin se ajo është zhdukur. Më pas atë e hodhi në një pusetë.
Ilaria dhe Mark ishin takuar në vitin 2023. Lidhja e tyre zgjati rreth dy vjet. Nga këndvështrimi i 23-vjeçarit, gjithçka ndryshoi kur dy ose tre muaj më parë vajza i kishte kërkuar t’i shihte notat në universitet. Kjo situatë, sipas tij, ka krijuar shumë probleme, pasi ka pretenduar se ka pasur gjithmonë ankthin e performancës ndaj prindërve.
Për këtë arsye, në Janar të vitit 2025 dyshja kishte vendosur të reflektonin mbi lidhjen e tyre. Në fakt asnjë prej të dyve nuk e kishte respektuar këtë gjë, pasi kishin vazhduar të takoheshin. Samson ka treguar se ka qenë gati të luftonte për ta rifituar Ilarian mbrapsht si të dashur. Por kjo ka ndodhur deri në fillim të Marsit, kur e reja i kishte treguar se kishte hapur llogari në Tinder. Ky vendim nuk është pritur mirë nga ai.
Më 24 Mars, mediat shkruajnë se Ilaria i kishte kërkuar një takim Markut, por që nuk ndodhi kurrë. Më pas ndodhi tragjedia. Gjykatësi hetues në urdhrin e tij e përshkruan Samson se ka një sjellje të ftohtë dhe racionale në veprimet e tij. Në fakt 23-vjeçari ka treguar një sjellje të vetëkontrollit të fortë dhe kthjelltësi pasi ka menaxhuar që t’i rikthehet “normalitetit menjëherë”, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Po ashtu për të flasin edhe veprimet tinëzare duke dërguar mesazhe ndaj babait të Ilarias dhe miqve të saj, duke pretenduar se ishte ajo për të mashtruar të gjithë se ishte gjallë. Nuk përjashtohet mundësia që në ditët në vijim ekipi i mbrojtjes së 23-vjeçarit të kërkojë një vlerësim psikiatrik mbi Samson.
