Sonte në orën 20:00 luhet derbi i fundit për këtë sezon, mes Tiranës dhe Partizanit. Policia ka marrë një sërë masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje në stadiumin “Arena Kombëtare”. Përpos disa segmenteve rrugore që do bllokohen nga ora 17:00 deri në përfundim të përballjes, do të ushtrohen kontrolle strikte ndaj tifozëve.
“Në orën 14:00 do të spostohen automjetet që janë përreth stadiumit, ndërsa rrugët do të bllokohen në orën 17:00. Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 17:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë: Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”. Rrugëkalimet e tifozëve do të jenë si më poshtë: Lëvizja e tifozëve të Tiranës do të bëhet: Nisja përballë “Teatrit të Kukullave” bulevardi “Dëshmorët e Kombit, rruga “Bajram Curri”, ETC, rruga “Papa Gjon Pali II”, qendra “COIN” – stadium; Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet: nga kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Ibrahim Rugova” pas Presidencës, sheshi “Frederik Shopen”, shkallët e universitetit – stadium.
“Nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë”, theksohet po ashtu. Partizani, që ndodhet në vendin e katërt, synon të sigurojë një pozicion në Final Four, ndërsa Tirana do të kërkojë të tregojë vlerat e saj në këtë përballje prestigjioze.
