Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje për përshpejtimin e reformave në Hungari pas fitores së opozitës në zgjedhje, duke theksuar se përparimi është thelbësor për zhbllokimin e miliarda eurove fonde të ngrira nga Bashkimi Evropian.
Duke folur në një aktivitet me rastin e 80-vjetorit të gazetës “Die Zeit”, Von der Leyen deklaroi se rreth 6,5 miliardë euro nga fondi i rimëkëmbjes pas pandemisë, rrezikojnë të humbasin nëse Budapesti nuk përmbush kushtet deri në fund të gushtit.
“Presioni kohor është jashtëzakonisht i madh”, tha von der Leyen, duke shtuar se dy ditë më parë kishte dërguar një ekip zyrtarësh të lartë në Hungari, për të bashkëpunuar me kampin e fituesit të zgjedhjeve, Peter Magyar, në përmbushjen e reformave dhe investimeve të kërkuara.
Fondet u bllokuan për shkak të shqetësimeve mbi shtetin e së drejtës, gjatë qeverisjes së kryeministrit në largim, Viktor Orbán.
E pyetur nëse Brukseli duhej të kishte ndjekur një qasje më të ashpër, Von der Leyen u përgjigj se BE-ja kishte qenë “jashtëzakonisht strikte”, duke ngrirë gjithsej 17 miliardë euro – një mungesë që sipas saj ka ndikuar në konkurrueshmërinë e Hungarisë dhe është reflektuar në rezultatin zgjedhor.
Ajo shtoi se Bashkimi Evropian duhet të respektojë me kujdes traktatet e tij gjatë vendosjes së çdo mase ndaj një shteti anëtar.
Von der Leyen theksoi se qytetarët hungarezë meritojnë të përfitojnë këto fonde evropiane – sapo të plotësohen kushtet.
Duke përmendur vite të tëra të asaj që e cilësoi si pengim sistematik nga Budapesti, ajo mbështeti gjithashtu idenë e heqjes dorë nga unanimiteti në vendimmarrjen e politikës së jashtme të BE-së, duke argumentuar se blloku duhet të jetë në gjendje të veprojë shpejt dhe të sigurojë që “zëri i Evropës të dëgjohet”.
