Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka uruar Edi Ramën për fitoren e zgjedhjeve parlamentare në vend, nga të cilat rezulton se Partia Socialiste ka fituar mandatin e 4-të qeverisës.
Përmes një postimi në platformën “X”, Orban shkruan se fitorja e Ramës ishte bindese, e se mezi pret për ta takuar në Samitin Evropian të së premtes në Tiranë, të cilin ai e quan si historik.
“Urime Kryeministrit @ediramaal për fitoren e tij bindëse në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë. I dashur Edi, mezi pres të të shoh këtë të premte në Tiranë në atë që mund të jetë një Samit historik i EPC-së”, shkruan Orban.
Kryesocialisti e përshëndeti urimin e Orban, duke u shprehur se pret me padurim vijimin e bashkëpunimit Shqipëri-Hungari.
“Faleminderit me gjithë zemër, i dashur Viktor. Pres me padurim të vazhdojmë punën tonë së bashku në interesin më të mirë të vendeve tona të bukura, si dhe për integrimin e plotë të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE – një kauzë që ju e keni mbështetur prej kohësh. Dhe po, mezi pres t’ju mirëpres në Tiranë për Samitin e EPC-së, pas takimit fantastik që patëm të gjithë së bashku në Budapest vetëm gjysmë viti më parë – ku ju e vendosët standardin shumë lart, miku im”, shkruan Rama në “X”.
Kujtojmë se Orban ka qenë mbështetes i Ramës dhe idealeve të tij, teksa ka shprehur suport për negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian.