Sipas kryeministrit Edi Rama kushdo që nuk përballon dot humorin e satirën, duhet të rrijë jashtë politikës. Në komunikimin e tij virtual me qytetarët, ai theksoi se nuk shan asnjëherë kundërshtarët e tij në politikë.
Kështu, la të kuptohet se të gjitha cilësimet ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha s’janë gjë tjetër veçse një formë e ‘sofistikuar’ për t’i vënë në pah mangësitë e tij në këtë fushë.
“Nuk jam këtu për shaka, patjetër bëj humor që i bezdis shumë ata që janë kundërshtarë të mitë. Më vjen keq, por unë nuk bëj dot ndryshe. Se unë nuk shaj, nuk ul njerëzit o kriminel, o maskara, o qen bir qeni…
Këto janë forma barbare! Më pëlqen të përdor satirën. Para ca ditësh është postuar në këtë faqe një episod i një krijimi të dy të rinjve që ma kanë dërguar, një teatër kukullash i lezetshëm, një mënyrë për të dhënë një mesazh kuptimplotë.
Është sulmuar faqja nga një tufë e madhe kandidatësh të një subjekti politik të rinj. E vetmja gjë që mund të kuptoj nga ai sulm është vjetërsia e mendjes së tyre.
Kush nuk është në gjendje të përballojë humorin e satirën, nuk duhet të merret me politikë. Është potencialisht i rrezikshëm!”, tha Rama në “Sy m’Sy”.
Kujtojmë se muajt e fundit, kreu i qeverisë i ka vënë epitete herë pas here kryedemokratit dhe opozitarëve, të tilla si “bufi plak” apo “zhabat e kënetës”. Episode humori e ironie ka pasur dhe me Kreun e Koalicionit Euroatlantik Lulzim Basha, për të cilin zgjedh fjalë që tingëllojnë më bukur.