Ulen deri në 25% çmimet e pullave fiskale për mallrat e akcizës. Në Fletoren Zyrtare është botuar vendimi “Për përcaktimin e elementeve të sigurisë dhe çmimit të pullave fiskale” që hyn menjëherë në fuqi.
Sipas vendimit, çmimi i pullës fiskale për birrat do të jetë 17.22 Euro për 1 mijë copë nga 22 Euro që ishte, pra tashmë ka një ulje të tarifës është 20%.
Ndërsa për produktet e tjera të mallrave të akcizës si duhani, çmimi do të jetë 15.65 Euro për 1 mijë copë nga 21 Euro që paguhej deri më tani ose e thënë ndryshe ulja është 25%.
Në vendimin e fundit thuhet se për alkoolin tarifa e pullës fiskale do të jetë 25.05 Euro nga 32 Euro që paguhej më parë. Ndërsa për verën tarifa për 1 mijë pulla fiskale do të jetë 25.04 Euro.
Vendimi përcakton edhe elementet e sigurisë për gjurmimin e pullave fiskale përfshirë sfondet e sigurta me modelet unike, tekst të imët dhe efekte me ndryshim ngjyre.
Sakaq, pas përfundimit të kontratës koncesionare të mëparshme për pullat fiskale, në fillim të 2025 bizneset e mallrave të akcizës ngritën shqetësimin për mungesën e prodhimit të pullave të reja.
Ministria e Financave sqaroi se prodhimi i tyre do të mundësohej nga një shoqëri e re që do të zbatojë teknologjinë moderne të mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe.