Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në konferencë për mediat u shpreh se ngërçi i krijuar për moskalimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të marrë zgjidhje ditët në vijim, sapo Kuvendi të nisë sesionin e ri parlamentar.
Ai nënvizoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo institucion i vendit.
Sipas tij, problemi lidhet me boshllëkun ligjor të krijuar pas shfuqizimit të formulës së pagave të magjistratëve, çka ka sjellë pamundësinë e ministrisë së Financave për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ai pohoi se kjo çështje do të zgjidhet me prioritet.
“ Do ta nisim nga një parim që është shumë i rëndësishëm: paraja publike është para e qytetarëve, nuk është e qeverisë, dhe çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë një autorizim ligjor për t’u shpenzuar. Ky është një parim jashtëzakonisht i rëndësishëm, për të gjithë, vlen për të gjithë njësoj. Buxheti i shtetit ka një ligj të posaçëm, i cili gjithashtu është i njëjtë për të gjithë, kështu që këtë përgjegjësi që qytetarët presin nga ne për zbatimin e ligjit të buxhetit dhe për shpenzimin e parasë publike do të jetë një gjë që do ta mbrojmë pa hezitim, njëkohësisht dhe pa asnjë kundërshtim.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme, janë të detyrueshme për t’u zbatuar, nuk negociohen, nuk relativizohen dhe e them këtë pasi për mua kjo nuk është zgjedhje, për mua kjo është thelbi i detyrës sime. Pra, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga çdo institucion.
Tani të themi troç dhe qartë atë gjënë ku janë ngatërruar gjërat. Përgjegjshmëria ndaj buxhetit të shtetit dhe zbatimi i i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk janë në luftë me njëra-tjetrën, përkundrazi kërkojnë të njëjtën gjë: autorizimin e qartë ligjor për ta zbatuar. Pra, këtu na është krijuar dhe problemi. Pikërisht te boshllëku ligjor dhe është boshllëku ligjor shkak i situatës në të cilën ne ndodhemi sot. Kemi arritur këtu se na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratëve, të cilën Gjykatës Kushtetuese e shfuqizoi dhe, në mungesë të kësaj formule dhe në mungesë të autorizimit ligjor, Ministri i Financave është në pamundësi për ta zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ndaj nevojitet që kjo mospërputhje të mundet të plotësohet tërësisht në Kuvend me ligj dhe nuk do kemi asnjë ekuivok nga kjo gjë. Prandaj, në sesionin parlamentar, që nis të martën, ky boshllëk ligjor do të plotësohet.
Detyra ime është që kjo të bëhet shpejt dhe të bëhet sa më shpejt.Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen, zgjidhja është në Kuvendin e Shqipërisë, në ditët në vijim. Ky do jetë drejtimi ynë dhe ky është dhe roli im për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje njëherë e përgjithmonë“, u shpreh ai.
