Shtetet e Bashkuara mund të largohen nga përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë nëse nuk ka përparim të qartë dhe bashkëpunim nga palët e përfshira. Ka qenë vetë presidenti Donald Trump që e ka bërë këtë deklaratë duke konfirmuar lajmin e dhënë më parë nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio.
“Nëse për ndonjë arsye, njëra nga dy palët e bën shumë të vështirë, ne thjesht do të themi se ju jeni budallenj. Por, shpresojmë, ne nuk do të duhet ta bëjmë këtë. Marco Rubio ka të drejtë duke thënë se duam të shohim një fund.”
I pyetur nga gazetarët nëse Rusia po luan bllofin, Trump refuzoi ta pranonte një gjë të tillë dhe u shpreh se nuk dëshiron të largohet nga bisedimet, pasi ende beson se ka një shans të mirë për t’i dhënë fund konfliktit. “Unë mendoj se shoh entuziazëm nga të dyja anët. Askush nuk po luan. Unë po përpiqem të ndihmoj. E dini, kjo ishte lufta e Bidenit, meqë ra fjala. Kjo nuk është lufta e Trump. Kjo është një luftë që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë.”
Këto përpjekje kanë ngecur kryesisht, pasi Rusia vazhdon të refuzojë një armëpushim të plotë 30-ditor të mbështetur nga Washington-i dhe Kievi, dhe një armëpushim i pjesshëm në sulmet kundër objekteve energjetike nuk ka arritur të rezistojë. Tejzgjatja e negociatave duket se ka sjellë frustimin e Trump. Presidenti amerikan i cilëson njësoj fajtor si Ukrainën ashtu edhe Rusinë për dështimin e marrëveshjes.
Së fundmi Ukraina dhe SHBA ndërmorën hapin e parë drejt arritjes së një marrëveshjeje për mineralet, pasi një marrëveshje fillestare nuk u arrit pas takimit të tensionuar midis Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në 28 Shkurt në Zyrën Ovale. Të dy vendet nënshkruan një memorandum synimi për ngritjen e një fondi investimi për rindërtimin e Ukrainës dhe qëllimi është të finalizohet marrëveshja deri më 26 Prill, thuhet në memorandumin e publikuar nga qeveria ukrainase.
Detajet e çdo marrëveshjeje mbeten të paqarta, por mediat shkruajnë se marrëveshja është shtrirë përtej mineraleve për të kontrolluar infrastrukturën energjetike të Ukrainës, naftën dhe gazin e saj. Në memorandum thuhet se “populli amerikan dëshiron të investojë përkrah popullit ukrainas në një Ukrainë të lirë, sovrane dhe të sigurt”.
Nga ana tjetër, Zelensky kishte shpresuar të përdorte marrëveshjen për të siguruar një garanci sigurie të SHBA-së, duke u thënë udhëheqësve evropianë muajin e kaluar se “një armëpushim pa garanci sigurie është i rrezikshëm për Ukrainën.”