Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka shprehur optimizmin për përmirësimin e marrëdhënieve tregtare me Kinën.
“Nuk do të them se do të luaj lojëra të vështira me Kinën. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Marrëdhënia ime me Presidentin Xi është e mrekullueshme. Ishte dhe ka qenë e shkëlqyer për një kohë të gjatë. Ne kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë dhe mendoj se do të bëjmë një marrëveshje me Kinën. Ne duam që ata të përfshihen, por ata duhet të bëjnë një marrëveshje dhe nëse nuk bëjnë një marrëveshje, do ta vendosim ne marrëveshjen, sepse ne jemi ata që vendosim”, tha Donald Trump.
Mes të tjerash presidenti amerikan tha gjithashtu se një marrëveshje do të rezultonte në tarifa “thelbësisht” më të ulëta për mallrat kineze.
“145 për qind është shumë e lartë por nuk do të jetë më kaq e lartë. Do të ulet ndjeshëm, por nuk do të jetë zero. Ne do të jemi shumë të mirë me Kinën, do të kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me Presidentin Xi Jinping, por ata do të fitojnë miliarda dhe do të ndërtojnë ushtrinë e tyre, por unë mendoj se ata do të jenë të lumtur dhe do të punojmë shumë së bashku. Duke folur në Zyrën Ovale, Trump deklaroi mes të tjerash se nuk do të pushojë nga puna kreun e Rezervës Federale Jerome Powell pasi e kritikoi vazhdimisht. Ai shtoi se do të dëshironte që Powell të ishte “pak më aktiv” kur bëhet fjalë për uljen e normave të interesit”, shtoi Trump.
Javën e kaluar, presidenti intensifikoi kritikat e tij ndaj shefit të Fed, duke e quajtur atë “një humbës i madh”. Komentet shkaktuan një rënie të aksioneve, obligacioneve dhe dollarit amerikan, por tregjet financiare që atëherë janë rikuperuar disi nga këto humbje.
Gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, Trump emëroi Powell për të udhëhequr bankën qendrore në 2017. Presidenti i atëhershëm Joe Biden e emëroi atë për një mandat të dytë katërvjeçar deri në fund të 2021. Është e paqartë nëse Trump ka autoritetin për të shkarkuar kreun e Rezervës Federale pasi asnjë president tjetër amerikan nuk është përpjekur ta bëjë këtë.
Rezerva Federale uli normat e interesit me një pikë përqindjeje në fund të vitit të kaluar në intervalin aktual nga 4.25% në 4.50%, por i ka mbajtur ato të pandryshuara që kur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë. Politikëbërësit janë të shqetësuar se tarifat agresive të vendosura nga Trump që nga fillimi i shkurtit mund të ringjallin inflacionin. Në të njëjtën kohë, ekspertët shqetësohen se kjo politikë që po ndjek Trump për tarifat ndaj partnerëve tregtarë mund të ndërlikohet më tej duke rritur papunësinë.