Kylian Mbappe dhe Ousmane Dembele duket se po përballen me një përplasje të re jashtë fushës, në një kohë kur të dy janë mes emrave të përfolur për fitimin e Topit të Artë.
Pak ditë më parë, Mbappe deklaroi në një intervistë për revistën prestigjioze franceze “France Football” se, sipas tij, ishte ai që duhej të fitonte Topin e Artë të ardhshëm. Sulmuesi francez e vendosi veten përpara jo vetëm Lamine Yamalit, por edhe bashkëlojtarit të tij në kombëtaren franceze, Ousmane Dembele.
Deklarata që ka zemëruar Dembélén
Në intervistë, Mbappé foli edhe për rivalin e tij në garën për çmimin individual. “Dembélé? Gjithmonë është parë si një lojtar me talent. Ndërsa mua gjithmonë më kanë parë si të zgjedhurin”, deklaroi Mbappé.
Këto fjalë duket se nuk janë pritur mirë nga Dembélé. Ish-futbollisti francez Jérôme Rothen, tashmë analist në “RMC Sport”, ka treguar se sulmuesi i Paris Saint-Germain është ndjerë veçanërisht keq nga deklaratat e Mbappé.
“Dembélé e mori shumë keq, kjo është e sigurt. Ai është shumë i zemëruar me Kylian Mbappé. Për të, kjo është një formë tradhtie”, tha Rothen.
“Ka dy kampe në kombëtaren franceze”
Rothen pretendon se pakënaqësia nuk është e kufizuar vetëm te Dembélé, por shtrihet edhe te rrethi i tij në Paris dhe te disa prej lojtarëve të kombëtares franceze.
“Ka shumë lojtarë të kombëtares franceze që nuk i kuptojnë, edhe një herë, të gjitha deklaratat e tij. Ata janë më shumë në krah të Dembélés sesa të Mbappés. Dhe megjithatë bëhet fjalë për të njëjtën skuadër. Por duket se tani ka dy kampe”, u shpreh ai. Sipas Rothen, tensionet mes lojtarëve janë bërë më të dukshme që prej Botërorit.
“Mbappé ka larguar shumë njerëz nga vetja”
Ish-futbollisti francez tha se gjatë Kupës së Botës kishte pasur tashmë probleme me sjelljen dhe deklaratat e Mbappés.
“Shumë lojtarë patën probleme me sjelljen dhe deklaratat e Kylian Mbappé. Kjo është realiteti. Ai ka larguar shumë njerëz brenda kombëtares franceze”, deklaroi Rothen. Megjithatë, ai pranoi se paraqitja e Mbappés në Botëror ndikoi në zbutjen e disa prej kritikave brenda grupit.
“Kur përfundon si golashënuesi më i mirë dhe ke një sjellje shembullore, siç ishte rasti i Kylianit në Botëror, kjo zbut deri diku kritikat brenda grupit. Por deklarata të tilla do ta dëmtojnë”, përfundoi Rothen.
Përplasja vjen në një moment kur gara për Topin e Artë është veçanërisht e fortë, me Mbappé, Dembélé dhe Lamine Yamal mes emrave që po diskutohen më shumë për çmimin prestigjioz individual.
