Kombëtarja shqiptare U-21 ka nisur përgatitjet në rrugëtimin drejt Kampionatit Europian “EURO 2027”, teksa trajneri Alban Bushi ka shpallur listën e tij me 21 lojtarë.
Kuqezinjtë do të luajnë një ndeshje miqësore kundër Ukrainës U-21 më datë 5 tetor, në stadiumin “Szentmarjay Tibor Városi Stadion” në Eger të Hungarisë, në orën 15:30.
Ajo që bie më shumë në sy në këtë grumbullim, i cili pritet të nisë më 28 shtator në Tiranë, janë plot katër risi të rëndësishme në ekip. Goditja më e madhe vjen me afrimin e Omer Bajraktarit; futbollisti i Malishevës ka marrë vendimin të lërë moshat e Kosovës për të veshur fanellën kuqezi të Shqipërisë. Surprizat e trajnerit Bushi vazhdojnë me mbrojtësin e Egnatias, Numan Ajetovikj (Ajeti), i cili gjithashtu ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë duke lënë pas moshat e Maqedonisë së Veriut.
Përveç këtyre dy afrimeve, tekniku i Shpresave ka vendosur të promovojë edhe dy talente nga strukturat kuqezi. Bëhet fjalë për Mattia Huqin dhe Gabriel Kullën, të cilët ishin pjesë e Shqipërisë U-19 dhe tashmë grumbullohen për herë të parë me ekipin U-21.
Kjo sfidë miqësore me Ukrainën është pjesë e programit përgatitor të Kombëtares U-21 në prag të Kampionatit Europian U-21 2027. Kujtojmë se Shqipëria U-21 e ka të garantuar pjesëmarrjen në turneun final, pasi do të jetë një nga vendet organizatore të këtij kompeticioni madhor.
