“Storm 3” (Stuhia 3) është operacioni i radhës nga efektivët e Policisë së Durrësit që në shënjestër ka pasur prostitucionin.
Uniformat blu të qytetit bregdetar njoftuan se kanë proceduar për shfrytëzim të prostitucionit dy gra kineze, R. W, 54 vjeçe, X. X., 41 vjeçe.
Po ashtu janë proceduar penalisht edhe 6 persona, nga Durrësi dhe Kruja, që u gjetën në banesën e dy kinezeve.
Policia thotë se ka sekuestruar dy pasaportat e shtetaseve të huaja, mbi 86 mijë lekë, 440 Euro, 3 celularë, disa karta telefoni dhe disa karta banke.
“Nga veprimet hetimore të kryera gjatë hetimit proaktiv rezultoi se shtetaset kineze në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, kishin përshtatur një ambient të marrë me qira, dhe ushtronin prostitucionin”, njoftoi policia.
Nga hetimet ka rezultuar se një grup i strukturuar kriminal në përbërjen e të cilit janë shtetas kinezë, rekrutojnë vajza kineze në atdheun e tyre dhe më pas i sjellin në shqipëri ku kryejnë aktivitetin e paligjshëm. Aty ata u sigurojnë apartamente me qira dhe klientë përmes faqeve online.
“Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e këtyre shtetasve”, njoftoi policia.