Ditën e sotme nis zbatimi i amnistisë penale për mbi 1300 të burgosur, nga të cilët 466 persona, mes tyre 11 janë gra dhe një i mitur, lirohen menjëherë nga burgu.
Ndërkohë, ulet masa e dënimit për 869 persona, ku përfshihen tetë gra dhe tetë të mitur. Nga Shërbimi i Provës amnistohen 5077 të dënuar me masa alternative. Nga amnistia nuk përfitojnë subjektet e dënuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas ligjit, përjashtohen nga vuajtja e dënimit burrat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me burgim deri në 3 vjet, ose me çdo lloj dënimi më të butë, përfshirë gjobën apo alternativat e dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri më 31 maj 2026, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi.
Ndërsa gratë përfitojnë nga amnistia nëse janë dënuar me burgim deri në 4 vjet ose me dënime më të lehta, për vendime të dhëna deri më 31 maj 2026.
Po ashtu lirohen burrat që janë aktualisht në burg dhe u kanë mbetur për të vuajtur deri në 3 vjet dënim si dhe gratë të cilave u kanë mbetur për të vuajtur deri në 4 vjet dënim.
Në kategorinë e përfituesve përfshihen edhe të dënuarit burra që në hyrjen në fuqi të ligjit kanë mbushur ose kanë kaluar moshën 60 vjeç, si dhe gratë e dënuara që janë 50 vjeç ose më të mëdha, pavarësisht dënimit, por jo kur ndodhen në burg për vepra të rënda që përjashtohen nga amnistia.
Një tjetër kategori që përfiton nga amnistia janë personat e dënuar që, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë 18 vjeç ose më të vegjël.
Nga amnistia përjashtohen të dënuarit për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre vrasjet me dashje dhe krimet kundër jetës, krimet kundër njerëzimit, përdhunimet dhe krimet seksuale, trafikimi i qenieve njerëzore, dhe shumë vepra të tjera të rënda.
