Negative ishte përgjigjja e Prokurorisë së Posaçme për kërkesën që kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, të merrte pjesë në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, e planifikuar për orën 15:00.
Këshilli Bashkiak kishte kërkuar që Veliaj të lejohej të merrte pjesë fizikisht në mbledhje ose, në pamundësi të kësaj, të lidhej përmes videokonferencës.
Kërkesa ishte dërguar pranë SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Refuzimi i SPAK është bërë në bazë të dispozitave të ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, që përcakton të drejtat dhe trajtimin e personave që ndodhen në paraburgim, si dhe kompetencat e institucioneve përgjegjëse.
Këshilli Bashkiak kishte argumentuar se prania e kryetarit ishte e rëndësishme për shqyrtimin e çështjeve që lidhen me administrimin e Bashkisë së Tiranës, ndërsa në rendin e ditës së mbledhjes së sotme është përfshirë edhe diskutimi mbi projektligjin për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.
Në kërkesën drejtuar institucioneve, Këshilli Bashkiak iu referua edhe vendimit nr. 66, datë 3 nëntor 2025, të Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se pjesëmarrja e kryetarit në mbledhjet e Këshillit lidhet me ushtrimin e funksioneve të tij institucionale.
