Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, shënon një moment të rëndësishëm për të vlerësuar kontributin e njerëzve që punojnë në mbarë botën. Në këtë ditë, në shumë vende të botës organizohen marshime dhe aktivitete ku kërkohen paga më të drejta dhe kushte më të mira pune.
Edhe në Shqipëri kjo ditë shënohet me marshime të organizatave të punëtorëve, ndërsa në të shkuarën 1 Maji ka pasur më shumë ngarkesë duke u festuar me manifestime shtetërore dhe organizime familjare.
1 Maji nuk është vetëm datë simbolike, por edhe një kujtesë për përpjekjet e vazhdueshme drejt punës së denjë. Falë lëvizjeve të punëtorëve ndër vite, janë arritur të drejta thelbësore si paga minimale, kufizimi i orarit të punës, pushimet e paguara dhe mbrojtja në rast sëmundjeje.
Megjithatë, sfidat vazhdojnë. Pas krizës financiare globale të vitit 2008, është rritur numri i punëve të pasigurta, me kohë të pjesshme apo me pagesë të ulët. Po ashtu, është përhapur edhe fenomeni i “gig economy”, ku shumë njerëz punojnë për periudha të shkurtra pa përfituar të drejtat bazë si pushimet apo sigurimet. Në këtë kontekst, solidariteti mes punëtorëve mbetet shumë i rëndësishëm.
Origjina e kësaj dite lidhet me ngjarjet e majit 1886 në SHBA, kur mijëra punëtorë dolën në grevë për një ditë pune 8-orëshe. Protestat, që filluan paqësisht, përfunduan në dhunë në Çikago. Ngjarja, e njohur si Haymarket Affair, u bë një simbol global i luftës për të drejtat e punëtorëve.
Në Evropë, 1 Maji është bërë zyrtare nga ana e delegatëve socialistë të kongresit të Internacionales së dytë në Paris në vitin 1889 dhe ratifikuar në Itali dy vjet më vonë.
