Duke filluar nga 14 Prilli deri në 30 Maj fermerët kanë afat aplikimi për të përfituar nga skemat mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë.
Për t’ia bërë të kuptueshme fermerëve, një grup nga AZHBR dhe Ministria e Bujqësisë ishin në Lushnjë dhe Fier për një takim bashkëbisedues.
Zv.Ministri Dhimitër Kote tha se për herë të parë do të mbështeten fermerët që prodhojnë perime bio në serra, ndërsa në blegtori do t’i kushtohet vëmendje rritjes së viçave.
“Do të mbështeten dhe viçat meshkuj për mish të cilët nuk kanë qenë vitin e kaluar për shtesë që bëhet këtë vit. Një kërkesë që erdhi nga vetë fermerët dhe ne e aplikuam, e mbështetëm këtë vit. Pra do të marrin për çdo viç mashkull 50 mijë Lekë të vjetra pasi ai të mbushi peshën dhe moshën dhe të jetë i matrikuluar”, u shpreh Dhimitër Kote.
Luftës biologjike do t’i kushtohet rëndësi për të patur prodhime të sigurta në Bashkimin Europian.
“Këtë vit ne kemi ndryshuar qasje për arsye se ne duam të hyjmë në treg të Bashkimit Europian me prodhime më cilësore me standardet më të larta. Dhe ne i dhamë mbështetje më të madhe këtë radhë i dhamë mbrojtjes biologjike të prodhimeve në serrë, ku sivjet fermerët do të marrin rreth 300 mijë Lekë për dynym ose 3 milionë Lekë të vjetra për hektarë për mbrojtjen biologjike”, shtoi Kote.
Një vitë më parë nga skemat subvencionale, pjesa më e madhe e fermerëve që aplikuan ishin të interesuar për naftën pa akcizë.