Në zonën e Malit të Tërbunit, Gojanit dhe Gjegjanit vijon operacioni për menaxhimin e vatrave të zjarrit, ku strukturat vendore dhe qendrore janë angazhuar për izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
Në Malin e Tërbunit, situata raportohet aktualisht nën kontroll, ndërsa puna vijon me forcat tokësore.
Ndërkohë, në Gojan të Vogël, Gojan të Madh dhe Gjegjan, situata mbetet dinamike për shkak të erës së fortë.
Sipas informacionit të Prefektit të Qarkut Shkodër, nuk raportohet avancim i zjarrit drejt banesave. Operacioni po mbështetet edhe nga ajri me dy helikopterë.
Në terren janë angazhuar forca të shumta nga strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, bashkitë, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit dhe vullnetarë.
Në operacion marrin pjesë 3 mjete dhe 15 efektivë nga MZSH Pukë, 1 mjet dhe 7 efektivë nga Fushë-Arrëzi, 1 mjet dhe 3 efektivë nga Bashkia Shkodër, 50 forca bashkiake, 40 efektivë të Forcave të Armatosura, efektivë të Policisë së Shtetit dhe 50 vullnetarë.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), vijon monitorimin dhe koordinimin e strukturave në terren, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe banesave, si dhe vënien nën kontroll të plotë të vatrave aktive.
