Stuhitë e fuqishme që shkaktuan tre viktima në Misisipi dhe shkatërruan çatitë e ndërtesave në një qytet të vogël të Oklahomës, po vazhdojnë drejt lindjes, duke shkaktuar paralajmërime për tornado në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara.
Stuhitë e dëborës kanë goditur pjesën qendrore të perëndimit amerikan, ndërsa erërat e forta po përhapin zjarret në Teksas.
Parashikuesit e motit paralajmërojnë se një stuhi që vjen nga Paqësori pitet të sjellë reshje shiu dhe dëbore në të gjithë Kaliforninë dhe pjesë të tjera në brigjet perëndimore amerikane nga e mërkura deri të premten.

Erërat e forta në Teksas dhe bimësia e thatë krijuan kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve në disa zona.
Njoftohet për 20 shtëpi dhe struktura të djegura në qarkun ‘San Patricio’ pranë qytetit ‘Corpus Christi’, tha gjykatësi i qarkut David Kerbs. Nuk ka njoftime paraprake për të lënduar.
Deri tani janë konfirmuar shtatë tornado në Teksas, Oklahoma dhe Luizina, sipas të dhënave paraprake nga shërbimi motit. Stuhitë e fuqishme në brigjet lindore shtrihen nga Nju Jorku deri në Florida.
Stuhitë gjatë natës në Nebraska sollën rreth 10 centimetra dëborë ndërsa erërat kishin një shpejtësi prej rreth 100 kilometra në orë.
Të paktën 70 aksidente automobilistike u shënuan në Minesota, sipas organeve të rendit. Garda Kombëtare është aktivizuar për të ndihmuar shoferët e bllokuar nga dëbora.