Gjykata Amerikane e Tregtisë Ndërkombëtare në Nju Jork vendosi dje se tarifat e përkohshme prej 10% ndaj importeve globale, të vendosura nga presidenti Donald Trump në muajin shkurt, janë të paligjshme.
Gjykata vendosi në favor të bizneseve të vogla që kundërshtuan tarifat, duke e shpallur masën “të pavlefshme dhe në kundërshtim me ligjin”.
Sipas vendimit, Trump kishte keqinterpretuar ligjin tregtar mbi të cilin ishte mbështetur për vendosjen e tarifave.
Gjykata urdhëroi që as qeveria amerikane dhe as Shërbimi Doganor dhe i Mbrojtjes Kufitare (CBP) nuk duhet të mbledhin detyrime importi nga paditësit, ku përfshihet edhe shteti i Uashingtonit.
Gjithashtu, u kërkua rimbursimi i tarifave të mbledhura deri më tani.
Gjykata vlerësoi se administrata amerikane nuk kishte vërtetuar mjaftueshëm ekzistencën e “problemeve themelore ndërkombëtare të pagesave”, të nevojshme sipas Aktit të Tregtisë të vitit 1974 për të justifikuar masën.
Në urdhrin ekzekutiv të Trump përmendeshin edhe deficitet tregtare dhe të llogarisë korrente, ndërsa ligji kërkon konkretisht deficit të bilancit të pagesave.
Që nga 24 shkurti 2026, SHBA-ja kishte vendosur një tarifë prej 10% ndaj shumicës së importeve.
Trump paralajmëroi rritjen e saj në 15%, që përbën edhe nivelin maksimal të lejuar për 150 ditë sipas ligjit të vitit 1974.
Megjithatë, edhe disa muaj pas deklaratës, një shpallje e tillë nuk rezulton e regjistruar në Regjistrin Federal.
Në shkurt, Gjykata Supreme vendosi gjithashtu se Trump kishte tejkaluar kompetencat e tij me një tjetër paketë tarifash, të vendosura në fillim të mandatit të tij të dytë presidencial në janar 2025, të bazuara në legjislacion emergjent të vitit 1977.
