Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka kritikuar ashpër propozimin e fundit të Shteteve të Bashkuara për programin bërthamor të Teheranit, duke e përshkruar administratën e Trump si “të pasjellshme” dhe “pa logjikë”.
Në deklaratën e tij të parë që pas propozimit, Khamenei theksoi se Republika Islamike nuk do të ndalojë procesin e pasurimit të uraniumit, i cili është në fokus të bisedimeve mes dy vendeve. Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Irani të ndërpresë plotësisht pasurimin, në përpjekje për të parandaluar prodhimin e materialit për armë bërthamore.
“Këta liderë arrogantë dhe të palogjikshëm amerikanë thonë se Irani nuk duhet të ketë një industri bërthamore,” tha Khamenei në fjalimin e tij sot, më 4 qershor. Ai shtoi se as Shtetet e Bashkuara dhe as Izraeli nuk mund të ndikojnë mbi vendimin e Iranit.
Khamenei u shpreh gjithashtu kundër mundësisë që Irani të ndalojë pasurimin, duke argumentuar se pa këtë proces, edhe nëse vendi ka qindra centrale bërthamore, ato do të ishin të padobishme pasi nuk do të kishin burim të nevojshëm për karburant.
“Qendrat bërthamore kanë nevojë për karburant, dhe nëse nuk mund ta prodhojmë në vend, do të na duhet të kërkojmë nga SHBA-ja, që me siguri do të vërë kushte të tjera” shtoi Khamenei.
Deklaratat e tij vijnë pasi administrata amerikane ka insistuar se Iranit duhet t’i kërkohet të shfuqizojë plotësisht programin e pasurimit të uraniumit për të parandaluar zhvillimin e armëve bërthamore.