Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar rezolutën për integrimin europian të miratuar së fundmi në Parlament, duke deklaruar se dokumenti pasqyron qëndrimin konsekuent të opozitës për një proces integrimi të bazuar te merita dhe performanca

Përse në rezolutë nuk përmenden emra konkretë si Belinda Balluku apo çështje që lidhen me qeverinë, Berisha u shpreh se ato “janë të nënkuptuara në çdo paragraf të rezolutës”.

Sipas tij, dokumenti nuk përmban asnjë vlerësim pozitiv për punën e qeverisë apo parlamentit në procesin e integrimit europian. “Lubi Balluku është me vetëkuptim aty ku kërkohet zbatimi i vendimeve të institucioneve. Olta Xhaçka është me vetëkuptim aty ku kërkohet zbatimi i vendimeve të institucioneve”, deklaroi Berisha. Ai shtoi se opozita ka mbështetur gjithmonë integrimin europian të Shqipërisë, por sipas tij, vendi nuk përmbush kriteret përveç atij gjeopolitik.

Sipas Berishës, një investigim i hollësishëm i ekspertit ndërkombëtar Patrick Quirk vërteton se ky “Diella” nuk posedon asnjë element të inteligjencës artificiale. Lideri i opozitës e cilësoi projektin si një “bllof botëror” dhe një skemë mashtrimi të krijuar posaçërisht për të maskuar vjedhjet e qeverisë.

“Çdo gënjeshtër i ka këmbët e shkurtra. Do denoncoj para shqiptarëve një turp botëror të Edi Ramës dhe Haram Begajt, të cilët do hyjnë në librin e Ginesit si mashtruesit më të pacipë të opinionit publik. Kur nga vjeshta e kaluar, Edi Rama paraqiti para shqiptarëve dhe botës një avatar, Diellën si institucioni i inteligjencës artificiale, e emëroi ministër dhe e dekretoi ministër Haram Turpi, ne e ngritëm zërin, ne thamë se ky është një bllof dhe vetëm një bllof. Se Diella është vetëm një mashtrim për të vjedhur disa milionë euro dhe asgjë tjetër.”

Ai theksoi se prezantimi i Diellës si një mjet i gjithëfuqishëm kundër korrupsionit ishte thjesht një propagandë që synonte manipulimin e opinionit publik dhe mediave ndërkombëtare.

“Edi Rama e paraqiti ministrin Diella si të gjithëfuqishmin në luftën kundër korrupsionit. Për fat të keq, mediat ndërkombëtare fillimisht u mashtruan nga ky bllof i turpshëm, nga ky akt i paprecedent në historinë e botës. Ndërkohë që Diella nuk kishte asnjë lidhje me urtësinë artificiale, nuk kishte asnjë element të saj, ishte thjesht një avatar bosh, një bllof i Edi Ramës për të maskuar vjedhjet e tij të tmerrshme që do dëshmoheshin dhe që dëshmohen çdo ditë.”

Berisha pretendon se ky akt ka dëmtuar rëndë imazhin e Shqipërisë në botë dhe ka përdhosur moralin e shtetit shqiptar.

Sipas tij, zbulimi i ekspertit tregon se ministrja virtuale është një “avatar bosh” pa asnjë ndërfaqe apo funksion real operativ. Në përfundim të konferencës, ai paralajmëroi se ky mashtrim do të mbetet në histori si një nga rastet më të paprecedenta të shkeljes së ligjit dhe Kushtetutës.

Për sa më sipër, falë një eksperti më të shquar të fushës ndërkombëtar, Patrick Quirk, i cili i ka kushtuar ditë dhe javë të tëra zbërthimit një për një të Diellës, ai nxjerr se ministrja Diella nuk ka absolutisht as edhe një qelizë të vetme të urtësisë artificiale. Zero! Se është një avatar pa asnjë atribut për korrupsionin, pa asnjë ndërfaqe, etj, etj. Ky është një krim i shëmtuar kushtetues. Kjo është një damkosje tjetër e imazhit të Shqipërisë në Evropë dhe botë.”