Ka dalë në konferencë për mediat, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bashkë me Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, Kreun e Emergjencave Civile Haki Çako dhe Drejtorin e Kompanisë Shtetërore të Prodhimit të Armëve dhe Municioneve Ushtarake, Ardi Veliu.
“Shqipëria, e angazhuar plotësisht si shtet aleat në NATO me përgjegjësitë e saj drejt sigurisë rajonale e më gjerë, si dhe e përkushtuar në modernizimin e vazhdueshëm të Forcave tona të Armatosura”, theksoi në krye të herës ministri, teksa theksoi se janë të hapur për çdo pyetje në sajë të transparencës së plotë.
“Forcat e Armatosura mbetet një nga shtyllat kryesore të sigurisë kombëtare dhe një kontributor i rëndësishëm në atë rajonale dhe ndër. Aktualisht FA-të operojnë me rreth 250 efektivë në misione operacione dhe aktivitete jashtë vendit, në kuadër të partneritetit që ne kemi me NATO-n, Bashkimin Europian apo me OKB-në”, tha ai.
Më tej, deklaroi se në fokus janë sistemet e mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër e të mesme, sistemet dron dhe anti-dron, kapacitetet e mbrojtjes kibernetike, fuqia e zjarrit të artilerisë, mjetet taktike të blinduara, sistemet e komunikimit të informacionit si dhe nxitja e inovacionit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Njoftoi se vetëm në 2 vitet e fundit rekrutimet te Forcat e Armatosura janë rritur me mbi 90%, ku një pjesë e konsiderueshme e aplikantëve kanë arsim të mesëm dhe të lartë.
“Pjesëmarrja e grave dhe vajzave arrin deri në 12, 13% për çdo fazë rekrutimi.”
Meqë jemi në prag të sezonit veror i cili zakonisht shoqërohet me zjarre apo problematika të tjera, komunikoi disa prej masave që janë ndërmarrë.
“Janë forcuar strukturat në nivel qarku, është rritur bashkërendimi institucional, janë përditësuar planet e reagimit, janë identifikuar zonat me rrezik të lartë, është forcuar monitorimi në terren, koordinimi me Policinë e Shtetit dhe janë rritur kapacitetet njerëzore teknike. Kemi një fond për mbrojtjen civile, i cili për vitin 2025 ka qenë diku 800 milion lekë, ndërsa për 2026-ën parashikohet të arrijë deri në 1 miliard. Paralelisht, nuk janë ndalur në asnjë moment trajnimet, stërvitjet në përputhje me mekanizmin europian të mbrojtjes civike”, bëri me dije Nufi.
Nuk la pa përmendur marrëveshjen e firmosur në fund të prillit 2026 midis kompanisë shqiptare KAYO SH.A dhe gjigantit italian Fincantieri, moment i cili sipas Nufit, shënon një zhvillim strategjik për industrinë detare në Shqipëri.
Administratori i kompanisë “Kayo” gjatë fjalës së tij bëri të qartë se të gjitha kontrata e kompanisë janë publike dhe transparente. Sipas tij çdo person që ka interes mund t’i gjejë shumë lehtë të publikuara.
“Në çdo rrethanë që ne kemi bashkëpunuar të gjitha kontratat tona janë publike dhe transparente. Gjithçka është tepër transparente dhe nuk ka asnjë arsye në vetvete që ne të fshehim kontrata. Kontratat në vetvete janë tejet transparente”, tha administratori i “KAYO”, tha Veliu.
