Ministrat e Jashtëm të NATO-s janë mbledhur në Bruksel në një samit dy ditor mes tensioneve mes SHBA-së dhe Evropës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara dhe Evropën të mos marrin vendime të vetme për sigurinë, mes pikëpamjeve gjithnjë e më të ndryshme mbi të ardhmen e aleancës transatlantike dhe Rusinë.
Në sfondin e tensioneve, Rutte u shpreh se SHBA nuk ka plane të tërheqë menjëherë praninë e saj ushtarake në Evropë, pavarësisht nga kërkesat e saj që vendet evropiane të kujdesen për mbrojtjen e tyre.
“Nuk ka plane që ata të zvogëlojnë papritmas praninë e tyre këtu në Evropë. Së dyti, ata për shumë vite u kanë thënë evropianëve, ju duhet të shpenzoni më shumë. Dhe kjo me të vërtetë filloi të ndodhë pasi Trump erdhi në detyrë në 2016 dhe në vitin 2017, ne po shpenzojmë më shumë në anën e Atlantikut”, tha Mark Rutte.
Aleatët po përgatiten për një ulje të numrit të trupave amerikane të stacionuara në Evropë nën NATO. Aktualisht ka rreth 100,000 trupa që mbrojnë territorin e NATO-s dhe anëtarët po konsiderojnë se SHBA mund ta zvogëlojë këtë numër me rreth 20,000 – 50,000 efektivë.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë asnjë tregues zyrtar për këtë, por Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth paralajmëroi muajin e kaluar Europën se nuk mund të supozojë se prania e Amerikës do të zgjasë përgjithmonë.
Në kulmin e tensioneve tregtare, në Bruksel ndodhet edhe Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio për të marrë pjesë në takimin e tij të parë të ministrave të punëve të jashtme të NATO-s, ku ai pritet të paraqesë kërkesat e SHBA-së për sigurinë dhe mbrojtjen e aleancës. Më herët Rubio është shprehur se evropianët duhet të marrin përgjegjësinë për mbrojtjen e Evropës dhe të shpenzojnë deri në 5% të PPB-së, një rritje e konsiderueshme nga objektivi aktual prej 2%.
Një numër vendesh evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Britaninë, kanë njoftuar planet për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, ndërsa Trump kërkon një afrim me presidentin rus Vladimir Putin në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës trevjeçare në Ukrainë. Udhëheqësi i CDU, Friedrich Merz, ka vënë në pikëpyetje nëse NATO do të mbetet në “formën e saj aktuale” deri në kohën e samitit në Hagë në qershor. Axhenda e diskutimeve përfshin edhe ndihmën për Ukrainën.