Një shkëmbim i pazakontë akuzash u zhvillua në X, ndërsa Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, akuzoi Gjermaninë për tirani pasi Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë u klasifikua si një entitet ekstremist.
Në një postim, diplomati i lartë amerikan kritikoi klasifikimin e bërë nga agjencia e inteligjencës së brendshme të Gjermanisë, e cila i lejon asaj të rrisë mbikëqyrjen e partisë politike.
“Gjermania sapo i dha agjencisë së saj të spiunazhit kompetenca të reja për të mbikëqyrur opozitën. Kjo nuk është demokraci, është tirani e maskuar,” shkroi Rubio në llogarinë zyrtare të Departamentit të Shtetit.
Gjithashtu edhe zëvendëspresidenti JD Vance kritikoi këtë veprim në një postim ne rrjetet sociale.
“AfD është partia më popullore në Gjermani dhe padyshim më përfaqësuesja e Gjermanisë Lindore. Tani burokratët përpiqen ta shkatërrojnë atë”, shkroi ai.
Menjëherë reagoi Ministria e Jashtme gjermane duke mbrojtur vendimin për ta përcaktuar partinë AfD si ekstremiste.
Në një raport prej 1,000 faqesh përmenden shkelje të parimeve themelore kushtetuese. Vendimi vjen disa ditë para se udhëheqësi konservator Friedrich Merz të betohet si kancelari i ri i Gjermanisë.