Invalidët e punës do të përfitojnë më shumë mbështetje për përballimin e shpenzimeve të karburantit, pasi Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) miratoi rritjen e shumës së kompensimit nga 10 mijë lekë në 15 mijë lekë.
Vendimi u miratua në mbledhjen e Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore nën drejtimin e ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Vendimi parashikon rritjen e vlerës së rimbursimit për blerjen e karburanteve për invalidët e punës, me synim lehtësimin e kostove të përditshme për këtë kategori.
Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Administrativ i ISSH-së miratoi edhe projektin e Statutit të ri të institucionit.
Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado, bëri të ditur se statuti përcakton organizimin dhe funksionimin e institucionit, duke synuar forcimin e kapaciteteve administrative dhe rritjen e eficiencës në shërbimet ndaj qytetarëve.
ISSH, theksoi Hado, mbetet i angazhuar në përmirësimin e skemave të sigurimeve shoqërore, modernizimin e proceseve të punës dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
