Prodhimi i energjisë elektrike në vend u rrit me 5,1% në tremujorin e dytë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, ndërsa eksportet u zgjeruan me mbi 55% dhe importet ranë, ku njëherësh investimet në kapacitete të reja fotovoltaike po zgjerojnë gradualisht prodhimin në vend.
Sipas INSTAT, bilanci i energjisë për 3-mujorin e dytë të këtij viti tregon se prodhimi neto vendas arriti në 2.361 GWh në periudhën prill-qershor 2026, nga 1.757 GWh një vit më parë, duke shënuar rritje vjetore prej 34,4%.
Nga ana tjetër, sipas të dhënave zyrtare, rritja e prodhimit u shoqërua me zgjerim të fortë të eksporteve dhe tkurrje të importeve. Vetëm gjatë periudhës prill-qershor të këtij viti, eksporti bruto i energjisë u rrit me 55,4%, duke arritur në 991 GWh, nga 638 GWh në tremujorin e dytë të vitit 2025. Importi bruto i energjisë elektrike, përfshirë shkëmbimet, ra me 21,5% në 569 GWh, nga 725 GWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Diferenca mes eksporteve dhe importeve rezultoi pozitive në 422 GWh gjatë tremujorit, duke reflektuar një nivel më të lartë të energjisë së dhënë jashtë vendit krahasuar me atë të marrë.
Hidrocentralet vijuan të dominonin prodhimin vendas, por të dhënat e INSTAT tregojnë një rritje të shpejtë edhe të kategorisë së prodhuesve të tjerë, ku përfshihen burimet e rinovueshme, siç janë edhe impiantet fotovoltaike.
Kjo kategori prodhoi 448 GWh në tremujorin e dytë, nga 288 GWh një vit më parë, një rritje prej 55,6%. Ajo përbënte 19% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike në këtë periudhë, krahasuar me 42,8% të realizuar nga hidrocentralet publike dhe 38,2% nga hidrocentralet private dhe koncesionare.
Rritja e kësaj kategorie përkon me zgjerimin e investimeve në sektorin fotovoltaik të vendit tonë.
