Formalizimi i sektorit të ndërtimit ka sjellë rritje të numrit të punonjësve të deklaruar, pagave dhe të ardhurave nga punësimi, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Sipas Tatimeve, në qershor 2026 rezultuan të deklaruar 65 mijë e 241 punonjës në sektorin e ndërtimit, nga 63 mijë e 41 në qershor 2025. Në terma vjetorë, numri i punonjësve të deklaruar u rrit me 2 mijë e 200 persona, ose rreth 3%.
Në të njëjtën periudhë, paga bruto në sektor u rrit me 23%, ndërsa kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore u rritën me 25%. Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi shënoi rritje më të fortë, me 49% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Të dhënat sipas fashave të pagave tregojnë një rritje të punonjësve me paga më të larta. Për fashën e pagave deri në 39 mijë e 999 lekë, numri i punonjësve shënoi rënie me 4%, ndërsa për pagat mbi 120 mijë lekë rritja ishte 49%.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, rezultatet lidhen me zbatimin e Planit Sektorial dhe formalizimin e mëtejshëm të sektorit të ndërtimit.
Administrata Tatimore deklaron se do të vijojë zbatimin e Planit Operacional të Ndërtimit, me synim rritjen e mëtejshme të formalizimit, deklarimit të punësimit dhe përmirësimin e përmbushjes së detyrimeve tatimore.

