📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

🌙 Dark
Contrast
🔄 Invert
Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
55711c73 75b6 4f98 bad2 2e4e0ec2a152 e1788940418864 696x411

Rezultatet e PISA 2025 kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të performancës së nxënësve shqiptarë në të tre fushat e vlerësimit, përkatësisht +65 pikë në matematikë, +59 pikë në shkencë dhe +50 pikë në lexim, duke e renditur Shqipërinë në nivelet më të larta të rajonit të Ballkanit Perëndimor në matematikë dhe shkencë.

Rezultatet u prezantuan në Bratislavë, gjatë ministerialit të vendeve të OECD, ku Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ishte e ftuar në një prej paneleve të diskutimit, së bashku me përfaqësues të vendeve të tjera, për të diskutuar mbi gjetjet e PISA 2025 dhe sfidat aktuale të arsimit.

Një prej temave të ngritura gjatë panelit ishte qëndrimi pozitiv i nxënësve shqiptarë ndaj të nxënit, ku të dhënat e PISA evidentojnë për nxënësit shqiptarë nivele të larta kurioziteti, këmbënguljeje përballë detyrave të vështira dhe bindjeje se arsimimi ia vlen.

E pyetur nga nënsekretari i Përgjithshëm i OECD František Ružička mbi këto gjetje, se si arrin sistemi arsimor shqiptar t’i kultivojë dhe t’i mbajë gjallë këto qëndrime pozitive të të rinjve ndaj të nxënit, ministrja Kumbaro u përgjigj: “A e shohin fëmijët shkollën vetëm si vendin ku marrin një notë, apo si vendin ku zbulojnë se në çfarë janë të zotët?”
Sipas saj, reforma kurrikulare e cila do të vijojë deri në vitin 2029, synon ta lidhë më fort të nxënit me botën ku jetojnë fëmijët, ndërsa aktivitetet jashtë kurrikulës u japin nxënësve më shumë mundësi për të zbuluar aftësitë e tyre. Kjo shkon krah për krah me gjithë aktivitetet që organizon Ministria e Arsimit për nxënësit. Kumbaro përmendi Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe, Festivalin e Shkencës, olimpiadat kombëtare dhe investimin në sport, ku aktualisht rreth 11 mijë fëmijë janë përfshirë në ekipet e volejbollit dhe basketbollit.

“Duam të krijojmë më shumë hapësira ku fëmijët mund të kenë sukses”, u shpreh Kumbaro, duke shtuar se një fëmijë mund të mos jetë më i miri në matematikë, por mund të shkëlqejë në art, sport, gjuhë apo teknologji. “Ne duam që çdo fëmijë të ketë të paktën një moment në shkollë kur të mund të thotë: ‘Kjo është aftësia ime dhe unë jam i zoti në këtë fushë”, tha ministrja.

Një tjetër diskutim i panelit u përqendrua te balanca mes përfitimeve dhe rreziqeve të teknologjisë digjitale në klasë. Sipas gjetjeve të raportit të OECD, Nënsekretari i Përgjithshëm i OECD Ružička tha se nxënësit shqiptarë kanë treguar nivele të ulëta shpërqendrimi nga teknologjia. Ministrja Kumbaro e argumentoi përgjigjen duke theksuar se përpara rregullave duhet folur për kulturën dhe mënyrën se si teknologjia përdoret në familje e në shoqëri. Ajo theksoi se teknologjia nuk mund të qëndrojë jashtë shkollës, duke përmendur ndalimin e përdorimit të celularëve në shkolla për të dytin vit radhazi, por edhe investimin në teknologjinë për të nxënit, me objektivin për të arritur në 1,000 Smart Labs deri në vitin 2029.

Në këtë kontekst, ministrja prezantoi edhe zgjerimin e programit “Pas Shkolle” në 408 shkolla në të gjithë vendin, me aktivitete të dedikuara në art, muzikë, teatër, sport dhe klube të ndryshme, me synimin që fëmijët të kalojnë më shumë kohë cilësore në shkollë dhe të kenë më shumë hapësira për të zbuluar interesat e tyre.

“Pyetja nuk është më nëse fëmijët do ta përdorin teknologjinë. Ata do ta përdorin. Pyetja e vërtetë është se kush do t’u mësojë ta përdorin mirë? Dhe këtë po përpiqemi të bëjmë, t’u japim fëmijëve, por edhe mësuesve instrumentet e duhura për ta përdorur mirë teknologjinë”, u shpreh Kumbaro.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights